Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e dytë të festivalit ndërkombëtar të arkitekturës “Bread & Heart”, një ngjarje që ka mbledhur në Tiranë arkitektë të njohur nga Europa, Azia, Amerika e Veriut dhe Amerika e Jugut për të diskutuar mbi sfidat e zhvillimit urban, arkitekturës dhe harmonisë mes njeriut dhe natyrës.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi praninë e emrave më të rëndësishëm të arkitekturës botërore në kryeqytetin shqiptar, duke theksuar se Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë referimi për debatet mbi zhvillimin modern dhe transformimin urban.
Kryeministri u shpreh se arkitektët kanë një rol të pazëvendësueshëm në jetën e njerëzve, pasi çdo hapësirë ku jetojmë dhe punojmë është rezultat i vizionit dhe punës së tyre.
“Ju e dini vlerësimin e madh që unë kam për arkitektët, të cilëve u është dhënë një bekim nga Zoti, sepse të gjithë kanë nevojë për ta. Nuk do të ishim dot këtu nëse pas kësaj ndërtese nuk do të ishte një arkitekt. Nuk do të jetonim në një qytet nëse nuk do të kishte arkitektë”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se sfida e kohës moderne nuk është vetëm ndërtimi i qyteteve dhe infrastrukturës, por gjetja e ekuilibrit mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës.
“Ruajtja e natyrës duhet të ketë të bëjë edhe me zhvillimin në harmoni me natyrën. Jo për ta vendosur natyrën në shërbim të njerëzve, por edhe të kundërtën. Zhvillimi dhe natyra nuk janë kundërshtarë të njëri-tjetrit, por partnerë që duhet të bashkëjetojnë”, deklaroi ai.
Rama solli në vëmendje edhe filozofinë e disa prej mendimtarëve dhe sipërmarrësve që kanë promovuar konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm, duke theksuar se përgjegjësia ndaj brezave të ardhshëm lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si njerëzimi sillet me natyrën sot.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri shprehu kënaqësinë për praninë në festival të disa prej figurave më të njohura të arkitekturës botërore, duke veçuar veçanërisht arkitektin e famshëm spanjoll Santiago Calatrava.
“Është një nder për mua që kam këtu pranë dikë që as në ëndrrat e mia më të mira nuk e mendoja se do të vinte në Shqipëri për të qenë pjesë e këtij projekti, Santiago Calatrava”, tha Rama.
Kreu i qeverisë falënderoi arkitektët që kanë zgjedhur të kontribuojnë me idetë dhe projektet e tyre në transformimin e Shqipërisë, duke theksuar se shumë prej tyre fillimisht kishin ardhur nga kureshtja, por tashmë rikthehen për vetë vendin.
“E di që në fillim erdhët sepse ishit kureshtarë të më shihnit mua, por tani nuk ju duhem më, sepse ktheheni për Shqipërinë”, tha ai me humor.
Në fund të fjalës së tij, Rama ndau një episod personal që e cilësoi si një nga komplimentet më domethënëse që ka marrë gjatë karrierës së tij politike. Ai tregoi se kishte ndarë me një lider të një vendi të pasur disa foto nga festivali dhe projektet arkitekturore të realizuara në Shqipëri.
“Pasi pa fotografitë, ai më dërgoi një mesazh dhe më tha: ‘Uau, Albania! Një ditë dua të ulemi bashkë dhe të më tregosh si e bën gjithë këtë pa para’. Ishte mesazhi më i gjatë që kam marrë ndonjëherë prej tij”, rrëfeu Rama.
Festivali “Bread & Heart” synon të krijojë një platformë ndërkombëtare diskutimi për arkitekturën, zhvillimin urban dhe sfidat e së ardhmes, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të debateve globale mbi transformimin e qyteteve dhe zhvillimin e qëndrueshëm.


