×
Monday, May 11, 2026

Rama: “Molotovarët” po tentojnë bllokimin e Shqipërisë në BE

April 13, 2026


Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama mori pjesë sot në Asamblenë e Partisë Socialiste, Vlorë

Gjatë fjalës së tij, Rama përdori termin “molotovarët”, duke iu referuar opozitës, të cilën e akuzoi për qëndrime që, sipas tij, dëmtojnë imazhin e vendit në Europë.

“Është shumë e rëndësishme që ne të jemi shumë, shumë të vendosur. Ne nuk e kemi problemin me ‘molotovarët’, ata janë mbrapa. Ne përballë kemi sfidat që duhet t’i fitojmë. Por nga ana tjetër është e rëndësishme edhe për faktin se ‘molotovarët’ janë e vetmja specie që njeh Europa në aspektin e eksportimit të llumit për të penguar Shqipërinë, dhe këtë nuk e them unë, por e dëgjoj nga ata në Europë”, tha Rama.

Ai solli si shembuj edhe raste nga vendet e rajonit, duke theksuar se situata të ngjashme politike nuk kanë prodhuar, sipas tij, sjellje të tilla në arenën ndërkombëtare.

“Ka pasur Maqedonia, kur nuk ishte akoma e Veriut, konflikte të jashtëzakonshme. Nuk kanë parë ata që t’u shkojnë nga Maqedonia trupa parlamentare të opozitës dhe t’u thonë “bllokojeni Maqedoninë, mos hapni derë për Maqedoninë”, sepse në Maqedoni është një regjim. Nuk ka ndodhur. Kanë bërë ç’kanë bërë luftë në Maqedoni, por këtë gjë, në gjuhë të huaj, nuk e kanë bërë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, “Mali i Zi ka pasur konflikte të mëdha politike. Ata janë edhe dy etni, siç është edhe rasti i Maqedonisë, por unë po flas për opozitën në Maqedoni dhe për opozitën në Mal të Zi. Nuk ka ndodhur që të shkojnë në Bruksel e në Berlin dhe të thonë “bllokoni, pengoni, ndaloni, shikojeni, futini në karantinë”, sepse atje, në atë vend, bëhen të gjitha të zezat, atje derdhen. Çfarë është kjo? Po çfarë është kjo? Si mundet të kriminalizohet vendi yt? Nuk flas fare për qeverinë apo për mua. Mua personalisht sulmet e tyre më janë bërë sukses dhe shëndet. Unë nuk qahem. Si mundet të kriminalizohet vendi yt? Dhe kur njerëzit vijnë dhe thonë sa ka ndryshuar Shqipëria, sa ka ndryshuar Tirana, të dëgjojnë “janë paratë e krimit,”. “Sa bukur ndërtimet në Vlorë” – “janë paratë e krimit”. Si mundet që të ulen përballë gazetarëve dhe kamerave të huaja dhe të argëtojnë publikun e vendeve të tjera me histori kriminelësh për ato që kamerat xhirojnë nëpër qytetet tona”.

“Nuk ia ka bërë këtë, po ju them prapë, askush vendit të vet, askush vendit të vet. Është e paimagjinueshme. Por ja që na ka rënë ne kjo pjesë. Dhe për këtë arsye ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se çfarë kemi në kurriz, sepse është një barrë shumë e madhe kjo që na ka rënë. Është një barrë që të bëjmë histori dhe të bëjmë histori duke i kapërcyer të gjitha pengesat, duke korrigjuar edhe ne shumë gjëra që kemi për të korrigjuar, duke bërë gjëra që s’i kemi bërë akoma dhe ta realizojmë objektivin historik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.




Comments are closed.