Rama krahason protestat me 21 Janarin: Sot askush nuk pengohet të protestojë
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me gazetarë dhe përfaqësues të mediave nga vendet e Bashkimit Europian, ku u ndal te investimi i planifikuar në Zvërnec dhe protestat e zhvilluara kundër këtij projekti.
I pyetur nëse është i shqetësuar nga mundësia që protestat të zgjerohen, Rama theksoi se Shqipëria është një vend i lirë ku qytetarët kanë të drejtën të protestojnë dhe e cilësoi këtë si një arritje të rëndësishme të viteve të fundit.
Kryeministri kujtoi ngjarjet e 21 janarit 2011, kur katër protestues humbën jetën gjatë një demonstrate në Tiranë, duke e krahasuar atë periudhë me realitetin e sotëm.
“Ky është një vend i lirë. Unë vetë kam qenë pjesëmarrës në protesta dhe e di mirë se çfarë do të thotë të protestosh në kushte të vështira. Në këtë bulevard, vetëm pak vite më parë, katër protestues u vranë me armë zjarri. Sot është një epokë tjetër dhe është shumë pozitive që njerëzit protestojnë pa asnjë pengesë”, u shpreh Rama.
Duke folur për incidentin që ndezi reagimet publike në Zvërnec, kryeministri tha se autoritetet kanë reaguar menjëherë duke marrë masa administrative dhe ligjore.
Sipas tij, roja i përfshirë në ngjarje është arrestuar, drejtori i Policisë së Vlorës është shkarkuar, ndërsa efektivët që ndodheshin në terren dhe nuk ndërhynë janë vënë nën hetim. Gjithashtu, kompanisë private të sigurisë i është hequr licenca.
Rama tha se pas publikimit të videos së incidentit, debati u zgjerua dhe kaloi përtej ngjarjes konkrete, duke u fokusuar tek investimi dhe çështje të tjera që lidhen me projektin.
“Protesta u shndërrua në një protestë me thirrjen ‘anuloni projektin’. Por unë kam bërë një pyetje shumë të thjeshtë: më tregoni projektin. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por me mënyrën sesi gjysmë të vërtetat mund të kthehen në gënjeshtra të mëdha dhe të ndikojnë opinionin publik”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, debati publik është larguar nga thelbi i çështjes dhe është fokusuar në narrativa që, sipas tij, nuk bazohen në fakte konkrete mbi projektin që po diskutohet.







