Balla: Marrëveshja 302 milionë dollarëshe me SHBA është historike, forcon mbrojtjen dhe partneritetin strategjik

27 Jul 2026 11:37
Shpërndaje:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi në Kuvend miratimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin e modernizimit të Forcave të Armatosura, duke e cilësuar atë një marrëveshje historike për sigurinë kombëtare dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.

Në fjalën e tij gjatë seancës plenare, Balla tha se marrëveshja me vlerë 302 milionë dollarë konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si edhe besimin që Uashingtoni ka ndaj vendit tonë.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë. Ajo shkon përtej termave financiarë dhe është një dëshmi konkrete e besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë, si edhe e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi ynë luan në sigurinë euro-atlantike”, u shpreh Balla.

Reklamë Ola

Ai nënvizoi se financimi do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura përmes programit Foreign Military Sales, duke mundësuar blerjen e pajisjeve, sistemeve dhe shërbimeve sipas standardeve të NATO-s.

Duke folur për investimet në mbrojtje, Balla theksoi se buxheti i këtij sektori është trefishuar gjatë viteve të fundit, nga 24.1 miliardë lekë në vitin 2020 në 69.2 miliardë lekë në vitin 2026. Ai shtoi se Shqipëria ka rritur shpenzimet për mbrojtjen në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mbështet objektivin e ri të NATO-s për të arritur në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

Reklamë InterMedika

Sipas Ballës, vendimi për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë është një vlerësim i rëndësishëm për rolin që Shqipëria luan në Aleancë, ndërsa vendi po përgatitet për fazën e re të zhvillimit të NATO-s, të njohur si “NATO 3.0”, përmes rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe investimeve strategjike.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së sqaroi se fondet do të disbursohen vetëm sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pas miratimit nga autoritetet amerikane. Shqipëria do të ketë 48 muaj për të angazhuar fondet, ndërsa kredia parashikon një afat shlyerjeje deri në 12 vjet, me mundësi periudhe grace deri në një vit dhe të drejtën për parapagim pa penalitete.

Në përfundim, Balla u bëri thirrje deputetëve të mbështesin ratifikimin e marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar, duke theksuar se ajo forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrit kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe konsolidon pozicionin e Shqipërisë si një aleate e besueshme dhe një faktor stabiliteti në rajon.