Presidenti francez Emmanuel Macron ka garantuar se shteti do të angazhohet për rindërtimin dhe riparimin e zonave të goditura nga zjarret e mëdha që kanë përfshirë ditët e fundit rajonet Gironde dhe Landes.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Macron u shpreh se autoritetet do të qëndrojnë në terren “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke falënderuar zjarrfikësit, forcat e sigurisë, ushtarakët dhe qytetarët për solidaritetin e treguar.
“Në këto orë kur flakët po e vënë në provë të rëndë vendin tonë, Franca po zbulon se çfarë është: një popull i bashkuar, që mbështet njëri-tjetrin”, shkroi presidenti francez.
Zjarret kanë detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 200 mijë persona nga banesat dhe strukturat turistike në zonat e rrezikuara.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, bëri të ditur se fronti i zjarrit ndodhet rreth 30 kilometra larg Bordosë. Për shkak të situatës, qeveria ka kufizuar lëvizjet rrugore dhe hekurudhore në zonat e prekura, ndërsa Aeroporti i Bordosë vazhdon të funksionojë, megjithëse transporti publik është prekur.
Mes të evakuuarve është edhe Bernadette, 71 vjeçe, e cila tregoi se u largua gjatë natës vetëm me dy nipërit e saj.
“Nuk mora asgjë me vete, vetëm dy fëmijët e mi të vegjël. Harrova ilaçet për sytë dhe shumë gjëra të tjera”, tha ajo nga qendra e pritjes ku është strehuar në Bordo.
Ndërkohë, situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku mijëra persona janë evakuuar nga zonat pranë Madridit dhe Ávilës për shkak të zjarreve.
Në Francë, autoritetet kanë lejuar kthimin e rreth 3 mijë banorëve në zonat e stabilizuara, përfshirë qytetin Biscarrosse, megjithatë zjarret ende nuk janë shpallur plotësisht nën kontroll.


