Rama ironizon thirrjet e protestuesve: “Edi Rama ka mbaru? Ikën mbrëmja, vjen mëngjesi dhe ne jemi këtu”
Kryeministri Edi Rama ironizoi sot thirrjet e protestuesve në bulevard, të cilët prej javësh kërkojnë largimin e tij dhe të qeverisë, duke deklaruar se sloganet që shpallen në protestë nuk ndryshojnë realitetin politik të vendit.
Gjatë fjalimit të mbajtur para grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama iu referua drejtpërdrejt refrenit “Edi Rama ka mbaru”, që dëgjohet shpesh në protestën kundër projektit të Zvërnecit.
Sipas tij, protestat janë shndërruar në atë që ai e quajti “sheshi televiziv i algoritmit”, ku prodhohen mesazhe dhe imazhe që më pas shpërndahen në rrjetet sociale dhe ushqejnë debatin online.
“Për t’i dhënë të gjithë kësaj një kuptim atdhetar, një pathos revolucionar, një parafytyrim epik, aty në sheshin televiziv të algoritmit fillon refreni: ‘Edi Rama ka mbaruar, ka mbaruar, ka mbaruar’. Mirëpo puna është që ikën mbrëmja dhe vjen mëngjesi. Aty s’ka njeri, sepse sheshi i xhirimeve hapet në mbrëmje. Ndërkohë që unë jam këtu, ne jemi këtu. E nesërmja vjen, pastaj vjen një mbrëmje tjetër dhe një e nesërme tjetër. Vitet ikin, profecia vazhdon, sepse edhe po s’u bë e vërtetë, bëhet virale. Dhe ja ku jemi sot”, deklaroi Rama.
Kryeministri argumentoi se në epokën e rrjeteve sociale, perceptimi po zëvendëson gjithnjë e më shumë faktet, ndërsa algoritmet favorizojnë përmbajtjet që gjenerojnë emocione të forta, konflikt dhe zemërim.
Ai tha se demokracitë moderne po përballen me një sfidë të re, ku e vërteta dhe gënjeshtra trajtohen njësoj nga platformat digjitale, ndërsa kriteri kryesor bëhet aftësia për të mbajtur vëmendjen e publikut.
“Në fund, ç’rëndësi ka nëse një fakt është i lirë të flasë, kur është i rrethuar nga një milion gënjeshtra? Kush dëgjohet më shumë nëse ti je aty i lirë të thuash të vërtetën dhe, ndërkohë, një kor bërtet një gënjeshtër në çdo fjalë që ti thua? Dhe kjo është një situatë e re e kohës sonë, ku fakti dhe gënjeshtra janë thjesht dhe vetëm dy njësi të mënyrës se si funksionon algoritmi, që nuk pyet kush ka të drejtë, por pyet vetëm kush e merr peng më gjatë vëmendjen dhe atij i jep shtysë, tjetrit i ul shpërndarjen”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë mbrojti qëndrimin se qeveria duhet të dëgjojë kritikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por nuk mund të udhëhiqet nga presioni i rrjeteve sociale apo nga ajo që ai e cilësoi si “zhurmë e algoritmit”.
Rama theksoi se Partia Socialiste do të vazhdojë të qeverisë sipas mandatit të marrë nga qytetarët dhe sipas objektivit strategjik për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke mos u devijuar nga presioni i debateve dhe fushatave që zhvillohen në platformat sociale.







