Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti i investimit në zonën e Zvërnecit do të vijojë dhe nuk ka asnjë mundësi që ai të ndalet, për sa kohë ai do të jetë në krye të qeverisë.
Në konferencën për mediat pas takimit me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama u shpreh i gatshëm të diskutojë me çdo grup apo individ që ka kundërshtime ndaj projektit, por kërkoi që debatet të bazohen mbi fakte konkrete.
“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do jem këtu. Jam tërësisht i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime. Por mbi të gjitha duhet të sqarojnë se për çfarë janë pretendimet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë komentoi edhe hetimin e SPAK lidhur me origjinën e pronës ku parashikohet investimi, duke e cilësuar pozitiv verifikimin e ligjshmërisë së pasurisë.
“Kjo e SPAK ka dy pjesë. Ka pjesën pozitive që i takon SPAK. Ka pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetëofruar të SPAK. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur me të drejtë apo pa të drejtë, këtë nuk e dimë, por i ngritur, dhe pastaj i shumëpërfolur, aq më tepër për sa kohë kjo përfolje lidhet me një hetim të nisur për sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim”, u shpreh ai.
Rama kritikoi më pas ata që, sipas tij, po krijojnë konfuzion publik rreth çështjes, duke përhapur informacione të pjesshme.
“Nga ana tjetër, pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar, të cilët ndajnë me opinionin publik gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Pasi investitorët, të cilët sot janë zotëruesit e pronës, bazuar në legjislacionin shqiptar, duke ndjekur të gjitha procedurat, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm”, tha Rama.
Ai shtoi se burimet financiare të investitorëve janë verifikuar nga institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Burimet financiare të tyre janë verifikuar edhe nga agjencia jonë e pastrimit të parave, një agjenci që vepron në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë rezultuar totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, hetimi për pronën dhe ecuria e investimit janë dy procese që mund të zhvillohen paralelisht.
“Investitorët janë tërësisht në të drejtën e tyre. Bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është tërësisht arbitrar dhe negativ. Ndërkohë që bllokimi i parave te llogaritë e pronarit për të cilin ka dyshime, është çështje e drejtë e organit hetimor. Investimi vazhdon me pronarët e drejtë dhe të ligjshëm. Dhe në rast se hetimi nxjerr tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën fare mirë mund t’i marrin ato para”, u shpreh ai.
Në fund, Rama kërkoi që Shqipëria të mbetet një vend mikpritës për investitorët strategjikë.
“Investitorët janë njerëz me reputacion dhe është shumë e rëndësishme që ne të jemi mikpritës, të jemi të drejtë dhe të mos marrim damkën që i presim investitorët me këmbët e para”, përfundoi kryeministri.


