Rama: Diella, ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale ka pushtuar gazetat e botës

12 Sep 2025 10:45
Shpërndaje:

Diella, e krijuar nga Inteligjenca Artificiale dhe e zgjedhur nga Kryeministri Edi Rama si ministre e Shtetit për Prokurimet Publike ka tërhequr vëmendjen e medieve botërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa nga titujt e gazetave prestigjioze të huaja si “The Guardian”, “Le Figaro” dhe “eKathimerini”, të cilat i kanë kushtuar nga një artikull zgjedhjes për herë të parë në kabinetin qeveritar të Shqipërisë të një ministreje virtuale.

“Diella, ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale ka pushtuar gazetat e botës”, tha Rama.

Reklamë Ola

“Shqipëria vendos “një ministre” të krijuar nga AI në krye të Inteligjencës artificiale”, është titulli i gazetës britanike “The Guardian”. Prestigjiozja franceze “Il Figaro” e ka titulluar artikullin e saj “Shqipëria krijon një ministre të krijuar nga AI për të menaxhuar prokurimet publike” dhe gazeta greke “eKathimerini” e ka titulluar “Diella, roboti që do të skanojë tenderat publikë”.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste ditën e djeshme teksa prezantoi qeverinë e re kryeministri Edi Rama  tha se Diella anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga Inteligjenca Artificiale e një qeverie do të ketë në mbështetje një strukturë të posaçme për adoptimin e Inteligjencës Artificiale në proceset qeverisëse si dhe një mandat të posaçëm për të shembur barrierat e paragjykimeve, frikërave dhe më rëndom ngurtësisë së administratës dhe për të ndikuar sa më fortë ritmin e proceseve të qeverisjes.

Reklamë InterMedika

“Në mandatin e katërt Diella do të jetë shërbyesja e prokurimeve publike që duam t’ia kalojmë inteligjencës artificiale duke e bërë Shqipërinë një vend ku tenderat publikë janë 100% të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond që kalon përmes procedurës së tenderit është 100% i lexueshëm”, theksoi Rama.