Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Ukrainën për një kundërpërgjigje ndaj sektorëve më të ndjeshëm të ekonomisë së saj, pas intensifikimit të sulmeve ukrainase ndaj rafinerive të naftës dhe objekteve të tjera ekonomike thellë brenda territorit rus.
Reagimi i Putin vjen pasi forcat ukrainase goditën rafinerinë e naftës Novokuybyshevsk në rajonin e Samarës, rreth 1 mijë kilometra nga vija e frontit. Ukraina ka intensifikuar gjatë kësaj vere fushatën e sulmeve me dronë ndaj infrastrukturës energjetike dhe logjistike ruse, me argumentin se këto objekte kontribuojnë drejtpërdrejt në financimin dhe mbështetjen e luftës së Moskës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi sulmin, duke deklaruar se goditjet me rreze të gjatë synojnë të kufizojnë potencialin ushtarako-ekonomik të Rusisë. Sipas tij, vetëm rafineria e goditur i siguron Moskës “miliona dollarë” për makinerinë e luftës përmes eksporteve. Ukraina raportoi gjithashtu goditjen e një qendre logjistike në rajonin e Samarës dhe operacione të tjera në Detin e Zi.
Putin reagoi duke akuzuar Kievin se me sulmet ndaj objektivave ekonomikë ka hapur vetë “kutinë e Pandorës”.
“Regjimi i Kievit vendosi të dëmtojë ekonominë tonë. Çfarë bëri? E hapi vetë këtë kuti të Pandorës. Atëherë, prisni një përgjigje që do të godasë sektorët tuaj më të ndjeshëm ekonomikë”, deklaroi Putin për televizionin shtetëror rus.
Moska ka nisur tashmë sulme ndaj infrastrukturës ekonomike ukrainase, përfshirë objektet e lidhura me eksportin e drithërave përmes Detit të Zi. Putin pretendoi se dëmtimi i eksporteve ukrainase nuk do të shkaktojë mungesa ushqimore në tregjet ndërkombëtare, pasi, sipas tij, Rusia është në gjendje të kompensojë sasitë që mund të mungojnë.
Përplasja po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga fusha tradicionale e betejës drejt infrastrukturës ekonomike dhe energjetike. Sulmet ukrainase me rreze të gjatë kanë goditur në javët e fundit një sërë objektesh të industrisë ruse të naftës, ndërsa raportohen edhe pasoja në furnizimin dhe çmimet e karburanteve në disa pjesë të Rusisë.
Pavarësisht paralajmërimit për hakmarrje, Putin përsëriti se Moska mbetet e hapur për negociata paqeje. Megjithatë, ai këmbënguli se çdo bisedim duhet të bazohet në atë që Rusia e quan “realitetet në terren”, duke hedhur poshtë propozimet e përcjella nga Ukraina përmes ndërmjetësve, të cilat i cilësoi si “ekzotike”.
Shprehja “kutia e Pandorës” ishte përdorur së fundmi edhe nga diplomacia ruse në një tjetër paralajmërim ndaj Perëndimit, në kuadër të debatit mbi furnizimet me armë për Ukrainën. Retorika e fundit e Moskës sinjalizon se goditjet ndaj infrastrukturës ekonomike mund të kthehen në një front gjithnjë e më të rëndësishëm të luftës.


