Merz kundër buxhetit të ri të BE-së: Duhet të shkurtohen qindra miliarda euro

28 Jul 2026 18:36
Shpërndaje:

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kërkuar uljen me qindra miliarda euro të propozimit të Komisionit Evropian për buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar planin aktual prej gati 2 trilionë eurosh si “të papranueshëm” dhe “të pabalancuar”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin irlandez Micheál Martin, Merz deklaroi se drafti aktual duhet të rishikohet ndjeshëm.

“Kemi nevojë për një projektbuxhet me shkurtime në të gjitha fushat, që arrijnë në disa qindra miliardë euro. Këto shkurtime janë thelbësore”, u shpreh kancelari gjerman.

Reklamë Ola

I pyetur nëse bëhej fjalë për një ulje prej 400 miliardë eurosh, siç sugjeronte një dokument gjerman i publikuar muajin e kaluar, Merz nuk dha shifra konkrete, duke theksuar se negociatat janë ende në zhvillim.

Kancelari kritikoi gjithashtu planin e Komisionit Evropian për krijimin e 2 500 vendeve të reja të punës në institucionet e BE-së, duke argumentuar se një zgjerim i tillë nuk është i justifikuar.

Reklamë InterMedika

“Është e papranueshme që tani të krijohen 2 500 vende të reja pune për institucionet evropiane. Ne nuk do ta pranojmë këtë”, deklaroi ai, duke shtuar se Gjermania synon të reduktojë administratën e saj publike me 8% deri në vitin 2029.

Debati zhvillohet ndërsa Irlanda, e cila mban presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian, duhet të paraqesë një projekt të ri buxheti përpara samitit të liderëve të BE-së në tetor.

Kryeministri irlandez Micheál Martin shmangu një përballje të drejtpërdrejtë me kërkesat e Berlinit, duke deklaruar se do të dëgjojë me kujdes shqetësimet e Gjermanisë.

“Besoj se, nëse të gjithë i qasemi këtij procesi me frymë bashkëpunimi, mund të arrijmë një marrëveshje deri në fund të vitit”, tha Martin.

Një nga çështjet më të debatueshme mbetet financimi i buxhetit përmes burimeve të reja të të ardhurave të BE-së. Komisioni Evropian ka propozuar pesë burime të reja financimi, përfshirë rritjen e akcizës mbi duhanin dhe një taksë për bizneset në Bashkimin Evropian, me synimin për të mbuluar shpenzimet në rritje për mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë.

Gjermania ka kundërshtuar fuqishëm taksën ndaj bizneseve, ndërsa Irlanda ka përsëritur kundërshtimin ndaj një takse dixhitale në nivel evropian. Sipas kryeministrit Martin, një masë e tillë mund të dëmtojë marrëveshjen tregtare “Turnberry” të arritur vitin e kaluar mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.