Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi sot një takim me Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, ku në qendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s.
Sipas njoftimit zyrtar, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Letonisë, të ndërtuara mbi besimin reciprok, solidaritetin dhe vizionin e përbashkët europian dhe euroatlantik.
Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Letonia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të BE-së për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.
“Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Letonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe bindjen e përbashkët se zgjerimi i BE-së është një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e Europës”, u shpreh Peleshi.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe për përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027.
Një tjetër temë e rëndësishme e bisedës ishte situata e sigurisë në Europë dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën përballë agresionit rus.
Peleshi dhe Presidenti Rinkēvičs ndanë qëndrimin se vendet aleate duhet të vijojnë bashkëpunimin për të përballuar sfidat e sigurisë që po përjeton kontinenti europian, duke forcuar koordinimin dhe angazhimin e përbashkët në kuadër të NATO-s.
Takimi konfirmoi marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Letonisë, si dhe vullnetin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në çështjet europiane, të sigurisë dhe mbrojtjes.


