Peleshi në Forumin e Sigurisë: Shqipëria forcon rolin në NATO dhe partneritetin strategjik me SHBA-në
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, mori pjesë në Forumin e Sigurisë me temë “Partneriteti SHBA–Europë dhe Roli i Padiskutueshëm i NATO-s”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga Kongresi Amerikan, Parlamenti Europian, parlamentet e vendeve anëtare të NATO, si dhe Dhoma e Komunëve e Mbretërisë së Bashkuar dhe vende të rajonit.
Në qendër të diskutimeve ishin sfidat aktuale të sigurisë globale, forcimi i partneritetit transatlantik dhe roli kyç i NATO-s në garantimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Peleshi theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë mbështetet në disa shtylla kryesore: procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, angazhimin aktiv në NATO dhe kontributin për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Ai nënvizoi progresin e bërë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria po avancon me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në BE. Sipas tij, Kuvendi ka intensifikuar punën për përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet evropiane, duke e konsideruar këtë proces si thelbësor për të ardhmen e vendit.
Duke u ndalur te marrëdhëniet me SHBA-në dhe roli i NATO-s, Peleshi evidentoi angazhimin e Shqipërisë si një aleate e besueshme në Aleancë. Ai përmendi rritjen e investimeve në mbrojtje, modernizimin e forcave të armatosura dhe forcimin e sigurisë kibernetike si elemente kyçe të kësaj qasjeje.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se Shqipëria po përgatitet të presë Samitin e NATO në vitin 2027 në Tiranë – një zhvillim i cilësuar si historik, pasi do të jetë hera e parë që një samit i Aleancës zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë strategjike të rajonit dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë me partnerët euro-atlantikë për përballimin e sfidave të reja të sigurisë, përfshirë kërcënimet hibride dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajon.







