×
Tuesday, August 9, 2022

“OSBE ka mbështetur diversitetin dhe barazinë gjinore në Shqipëri”

February 7, 2020

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizuan sot konferencën me temë: “Axhenda për gratë, paqen dhe sigurinë”.

Në konferencë u diskutua mbi arritjet në zbatimin e rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë dhe hapat e mëtejshëm të ndërmarrë nga institucionet.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu tha se indeksi i barazisë gjinore 2020 e rendit Shqipërinë në vendin e 17-të, ndër 28 vendet e Bashkimit Evropian(BE) dhe 2 vende të Ballkanit Perëndimor.

“Zbutja e hendekut gjinor mbetet ende një sfidë, për të mos e konsideruar barazinë gjinore si një ëndërr e brezave që do vijnë, por si një mundësi të ta nisur ndryshimin sa më parë, për të përmbushur përtej kuotave dhe shifrave, barazinë mes burrave dhe grave, pa ndasitë e atyre që rëndom vijojnë të konsiderohen punë burrash. jemi ende larg qasjes tonë drejt barazisë gjinore”, tha Manastirliu.

Sipas saj, një tjetër tregues i rëndësishëm i përpjekjeve të Qeverisë së Shqipërisë drejt barazisë gjinore është edhe raporti i Indeksit Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2020, i cili tregon se Shqipëria aktualisht renditet në vendin e 20 nga 153 vende.

Ndërsa kryetari i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se festojnë 20 vjetorin e adaptimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1325 që sipas tij ka sjellë për dy dekada axhendën për siguri dhe paqe.

“Ne e ndihmuam Shqipërinë që të zhvillonte një plan veprimi së bashku me partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër kjo rezolutë ka ndikuar për një përfaqësim të shtuar të grave në të gjitha nivelet e vendimarrjes. Këtu në Tiranë OSBE ka mbështetur fuqimisht diversitetin dhe barazinë gjinore, siç është mbështetja jonë për fushatën e rekrutimit policor. Prezenca e OSBE i ka dhënë përparësi zbatimit të rezolutës 1325 në Shqipëri me synimin për t’u angazhuar në adresimin e qëndrueshëm të sigurisë”, tha ai.

Sipas Borchardt siguria mund të arrihet kur është e përfshirë gjithë shoqëria.

Në vitin 2000, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 1325, për gratë, paqen dhe sigurinë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments