Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po shqyrton një nismë që synon të ndryshojë mënyrën se si paraqitet harta e botës, duke përdorur një projeksion që pasqyron më saktë përmasat reale të kontinenteve dhe veçanërisht të Afrikës.
Nisma udhëhiqet nga Togo dhe mbështetet nga 54 shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Afrikan, si dhe nga vende të tjera. Propozimi synon zëvendësimin gradual të hartës tradicionale të Mercatorit me projeksionin “Equal Earth”, i cili ruan më mirë raportet reale të sipërfaqeve të kontinenteve.
Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, ka theksuar se nisma nuk duhet parë si një përplasje politike, por si një çështje e saktësisë shkencore.
“Kjo nuk është një çështje politike, por një debat shkencor. Të dhënat shkencore janë të padiskutueshme dhe të gjithë duhet ta pranojmë realitetin”, deklaroi Dussey, sipas “The Guardian”.
Projeksioni Mercator u krijua në vitin 1569 nga kartografi flamand Gerardus Mercator, fillimisht për të ndihmuar navigimin detar. Megjithatë, mënyra se si ai projekton sipërfaqen sferike të Tokës në një hartë të sheshtë shkakton shtrembërime të konsiderueshme në madhësinë e territoreve.
Vendet pranë ekuatorit paraqiten më të vogla në raport me ato pranë poleve, të cilat duken shumë më të mëdha sesa janë në realitet. Një nga shembujt më të njohur është krahasimi mes Afrikës dhe Groenlandës. Në projeksionin Mercator ato mund të duken me përmasa të përafërta, ndërsa në realitet kontinenti afrikan është rreth 14 herë më i madh se Groenlanda.
Fushata ndërkombëtare “#CorrectTheMap”, e cila mbështet ndryshimin, argumenton se shtrembërimi ka ndikuar prej dekadash në perceptimin e përmasave të Afrikës. Për të ilustruar madhësinë e kontinentit, mbështetësit e nismës theksojnë se brenda sipërfaqes së Afrikës mund të përfshihen njëkohësisht Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Japonia, Meksika dhe pjesa më e madhe e Europës.
Debati ka marrë edhe një dimension historik dhe politik. Disa ekspertë dhe aktivistë përdorin termin “kolonializëm kartografik”, duke argumentuar se projeksioni Mercator ka kontribuar në zvogëlimin vizual të vendeve të Jugut Global, ndërsa territoret e Veriut paraqiten në përmasa shumë më të mëdha.
Alternativa e propozuar nga Togo është projeksioni “Equal Earth”, i krijuar në vitin 2018. Ky model është projektuar për të ruajtur më saktë raportet mes sipërfaqeve të vendeve dhe kontinenteve, duke shmangur shtrembërimet e mëdha të madhësisë që karakterizojnë hartën Mercator.
Edhe nëse nisma merr mbështetjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një vendim i tillë nuk do të ishte ligjërisht detyrues. Megjithatë, ai mund të ndikojë në standardet e përdorura për hartat në shkolla, aplikacione dixhitale, platforma online dhe shërbime të ndryshme publike.
Qeveria e Togos është shprehur optimiste për nismën dhe po planifikon organizimin e një konference ndërkombëtare në Lomé, në bashkëpunim me UNESCO-n, Bashkimin Afrikan dhe kompani të teknologjisë. Në qendër të diskutimeve pritet të jetë mënyra se si një standard i ri hartografik mund të zbatohet më gjerësisht.
“Atyre që pyesin ‘pse tani?’, unë u përgjigjem ‘pse jo?’. Është koha për të ndryshuar narrativën dhe për të marrë përgjegjësinë për atë që mund ta rregullojmë vetë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Togos.


