Putin mund të rikthehet në SHBA, Shtëpia e Bardhë po shqyrton ftesën për samitin e G20

05 Sep 2026 14:13
Shpërndaje:

Presidenti rus Vladimir Putin mund të udhëtojë për herë të dytë në Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës së Donald Trump, këtë herë për të marrë pjesë në samitin e liderëve të G20, që pritet të zhvillohet në Florida në mesin e dhjetorit.

Pas takimit të vitit të kaluar në Anchorage të Alaskës, ku Trump e ftoi për bisedime lidhur me një plan paqeje për Ukrainën, destinacioni i radhës për presidentin rus mund të jetë Miami.

Sipas dy personave në dijeni të diskutimeve, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, por Shtëpia e Bardhë po punon për të siguruar pjesëmarrjen e Putinit në samit dhe po mban të informuar për këtë çështje edhe palën kineze.

Reklamë Ola

Presidenti amerikan nuk e ka konfirmuar publikisht një ftesë të tillë. I pyetur së fundmi për mundësinë që Putin të marrë pjesë në samitin e G20, Trump u përgjigj: “Nuk e kam menduar ende”.

Një rikthim i presidentit rus në tryezën e liderëve të G20 do të kishte një rëndësi të madhe simbolike për Moskën, pasi mund të shihej si një dobësim i izolimit ndërkombëtar me të cilin Rusia është përballur pas aneksimit të Krimesë dhe pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Reklamë InterMedika

Një pjesëmarrje e mundshme e Putinit pritet megjithatë të shkaktojë kundërshtime nga disa prej aleatëve të SHBA-së, veçanërisht vendet europiane të G20, por edhe Kanadaja, Japonia, Australia dhe Koreja e Jugut. Për këto vende, rikthimi i presidentit rus në një samit të nivelit të lartë pa lëshime nga Moska lidhur me Ukrainën mund të konsiderohet një provokim.

Një sinjal për ndryshimin e qasjes së Washingtonit ndaj përfaqësimit rus në G20 u dha pak ditë më parë në Asheville të Karolinës së Veriut. Administrata amerikane ftoi ministrin rus të Financave, Anton Siluanov, në takimin e ministrave të Financave të G20.

Sipas raportimeve, ishte hera e parë që një takim i G20 i drejtuar nga një demokraci perëndimore rikthente një delegacion rus në këtë format, një vendim që shkaktoi pakënaqësi mes disa ministrave europianë.

Afrimi i mundshëm me Moskën lidhet edhe me strategjinë e administratës Trump ndaj Iranit. Sipas ekspertëve, presidenti amerikan ka interes të përmirësojë marrëdhëniet me Kremlinin në një kohë kur Washingtoni po përpiqet të ushtrojë presion maksimal ekonomik ndaj Teheranit.

Rusia është një partner i rëndësishëm i Iranit dhe e furnizon atë me armë dhe produkte të tjera. Shtëpia e Bardhë po përpiqet ta bindë Kremlinin të kufizojë mbështetjen për Teheranin.

Kjo çështje besohet se ka qenë pjesë edhe e diskutimeve të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, gjatë vizitës së tij të papritur në Moskë në fund të gushtit.

Nëse ftesa për Putinin konfirmohet, samiti i G20 në Florida mund të shndërrohet në një moment të rëndësishëm diplomatik, por edhe në një burim të ri tensionesh mes administratës Trump dhe aleatëve që kundërshtojnë normalizimin e marrëdhënieve me Moskën pa përparim konkret për përfundimin e luftës në Ukrainë.