Kryeministri Edi Rama ndodhet në Cernobbio të Italisë, ku mori pjesë në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, në panelin “Agjenda për Europën”, me diskutimet të përqendruara te roli i Mesdheut dhe sfidat e reja me të cilat përballet kontinenti.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te nevoja që Europa të forcojë autonominë në sektorët strategjikë, veçanërisht në sigurimin e lëndëve të para kritike. Sipas tij, përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
“Europa nuk arrin autonominë e vet në lëndët e para kritike brenda kufijve të vet dhe në kuadrin kohor. Nëse Ballkani Perëndimor nuk do të përfshihet për të na futur brenda, situata mund të ndryshojë”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli edhe për potencialin e Shqipërisë në burimet natyrore, duke veçuar rezervat e bakrit dhe duke kërkuar një prani më të madhe të investimeve europiane në vend.
“Shqipëria ka një rezervë të madhe bakri dhe po zbrazim Kinën që Europa të vijë”, tha Rama.
Duke folur për orientimin gjeopolitik të Shqipërisë, Kryeministri përdori me humor shprehjen se shqiptarët janë “talebanët perëndimorë”, ndërsa vuri në dukje mungesën e marrëdhënieve dhe investimeve ruse në vend.
“Jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi pasur asnjë autoritet rus të na vizitojë dhe as nuk na merr malli. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk ka një investim të mirëfilltë dhe nuk na mungon”, u shpreh Rama, duke e shoqëruar deklaratën edhe me batutën: “Po merr Putini në telefon”.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Rama argumentoi se për të mundësuar zgjerimin, edhe vetë BE-ja duhet të ndryshojë mënyrën se si funksionon.
“Unë nuk besoj se do të ketë ndonjëherë vend për ne në BE nëse diçka nuk do të ndryshojë në BE. Nuk besoj se 2027 do të na presë lumturisht me kompetencën e vetos, me kompetencën tonë”, deklaroi ai.
Sipas Kryeministrit, një nga çështjet që duhet adresuar është mënyra e vendimmarrjes brenda Unionit, ndërsa zgjerimi me vende të reja kërkon përshtatjen e mekanizmave të funksionimit të BE-së.
Rama mbrojti në këtë kontekst modelin e integrimit gradual, duke e konsideruar atë rrugën më të përshtatshme për afrimin konkret të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda në BE dhe për ta nisur nga pjesa reale, që është tregu i përbashkët”, përfundoi Rama.
Mesazhi i Kryeministrit në Cernobbio u përqendrua kështu te dy çështje të lidhura mes tyre: nevoja e Europës për më shumë autonomi strategjike dhe përfshirja më e shpejtë e Ballkanit Perëndimor në strukturat dhe tregun e përbashkët europian.


