Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, ndërsa theksoi se zgjidhja për situatën e krijuar duhet të vijë përmes Kuvendit.
Në një konferencë për mediet, Gogu u shpreh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese “nuk negociohen” dhe “nuk relativizohen”, duke nënvizuar se të gjitha institucionet kanë detyrimin t’i zbatojnë ato.
Sipas ministrit, respektimi i vendimit të Kushtetueses dhe përgjegjshmëria në përdorimin e fondeve publike nuk janë dy parime që bien ndesh me njëri-tjetrin, pasi në të dyja rastet kërkohet një bazë e qartë ligjore.
“Paraja publike është para e qytetarëve, nuk është e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Përgjegjshmëria ndaj buxhetit dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë në luftë me njëra-tjetrën. Përkundrazi, kërkojnë të njëjtën gjë: autorizimin e qartë ligjor për ta zbatuar”, deklaroi Gogu.
Ministri sqaroi se situata e krijuar nuk duhet parë si një përplasje mes institucioneve për nivelin e pagave, por si pasojë e mungesës së bazës ligjore për formulën e pagës së magjistratëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet ta themi troç: kemi arritur këtu sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Ky boshllëk duhet të plotësohet atje ku e ka vendin: në Kuvend, me ligj”, tha ai.
Gogu bëri të ditur se çështja pritet të adresohet me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Sipas tij, plotësimi i boshllëkut ligjor është mënyra për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së krijuar dhe për të garantuar njëkohësisht zbatimin e vendimit të Kushtetueses dhe respektimin e rregullave për përdorimin e buxhetit të shtetit.
“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën. Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë. Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me përgjegjshmëri të plotë ndaj buxhetit të shtetit”, deklaroi ministri.
I pyetur për interpretimet e ndryshme të gjyqtarëve dhe padinë e ngritur lidhur me pagat, Gogu theksoi se Ministria e Drejtësisë nuk mund të marrë përsipër kompetencat e institucioneve të tjera.
“Nuk kam ndërmend të bëj Gjykatën Kushtetuese apo të gjykoj veprimet e Kuvendit. Nuk e kam këtë kompetencë. Ajo që mund të siguroj si ministër i Drejtësisë është se nuk do të pushoj deri në ditën kur të plotësojmë boshllëkun ligjor”, u shpreh ai.
Në përfundim, ministri bëri thirrje për respektimin e roleve dhe kompetencave kushtetuese të secilit institucion.
“Ligjet bëhen në Kuvend. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen. Mosmarrëveshjet gjyqësore zgjidhen në gjykatë. Secili në vendin e vet”, përfundoi Gogu.


