Nufi në Pentagon: SHBA mbetet partneri më strategjik i Shqipërisë

14 Jun 2026 09:55
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në Takimet Bilaterale për Konsultimet e Mbrojtjes, të zhvilluara më 11-12 qershor në Pentagon, ku u diskutua forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Takimet nga pala amerikane u drejtuan nga Alton Buland, zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të Mbrojtjes dhe përgjegjës për Politikat Evropiane dhe të NATO-s.

Gjatë konsultimeve, palët vlerësuan bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për thellimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet dy vendeve.

Reklamë Ola

Ministri Nufi u shpreh se Shqipëria mbetet e angazhuar për të rritur kontributin e saj në kuadër të këtij partneriteti dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin me SHBA-në.

“Jemi krenarë për angazhimin dhe kontributin në rritje të Shqipërisë në kuadër të këtij partneriteti strategjik dhe mezi presim të thellojmë më tej miqësinë dhe bashkëpunimin tonë”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Nufi vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Shqipërisë ndër vite, duke e cilësuar atë si vendimtare për zhvillimin e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Shqipëria vlerëson thellësisht mbështetjen e vazhdueshme dhe afatgjatë të SHBA-së. Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për vendin tonë gjatë gjithë historisë sonë”, tha ai.

Sipas ministrit, SHBA do të vijojë të mbetet partneri më strategjik i Shqipërisë, ndërsa bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të forcohet në funksion të sigurisë rajonale dhe euroatlantike.