×
Friday, October 11, 2024

Moisiu: Presidenti i ri duhet të jetë shembull nga ana morale, të jetë “baba i kombit”

April 2, 2022


Ish-presidenti Alfred Moisiu ka dhënë një intervistë për Fax News, ku ka folur për tema të ndryshme, përfshirë edhe pasuesin e presidentit Meta në krye të shtetit, që sipas tij duhet të jetë një person me përvojë të gjatë, dhe figurë e gjithëpranuar.

Moisiu u shpreh se do të ishte e udhës që të Shqipëria të kishte një president mbi palët, dhe që mazhoranca të mos mjaftohej me votimin e tij me 71 vota.

Ai tha se Kushtetuta parashikon zgjedhjen me 84 vota të drejtuesve të një rëndësie më të ulët, ndërkohë që te presidenti është bërë përjashtim me qëllim shmangien e krizave politike.

“Unë e kam thënë prej kohësh, që për mua zgjedhjen e presidentit e kemi të gabuar, u zbut Kushtetuta, duke lejuar zgjedhjen me 71 vota, në mënyrë që të mos prodhohej krizë. Ne zgjedhim avokatin e popullit me 84 vota dhe presidentin me 71.

Ne kemi nevojë për një president që të jetë me të vërtetë mbi palët, dhe të ketë si qëllim bashkimin e kombit. Edhe lufta politike që bëhet këtu te ne çon në shumë shkëputje, ne akoma mbajmë gjallë partizanët dhe ballistët, askush nuk merret më me historitë e luftës së dytë botërore.

Nuk mund të vësh qëllim votën, dhe të dëmtosh unitetin e popullit”, tha Moisiu, ndërkohë që nuk preferoi të jepte kandidaturat që sipas tij do ti voliteshin vendit.

Cilat janë kandidaturat që mund të jenë mbi palët?

“Unë them që mund të gjenden kandidatura të tilla, shembujt janë, puna është a ka vullnet real që presidenti të jetë mbi palët, e do secili që ta tërheqë me vete. Politikanët tanë duhet të jenë më sëriozë, këtu te ne zgjidhet presidenti me flokë të zeza, i duan të rinj, presidenti duhet të jetë ‘baba i kombit’, nëse mund ta themi.

Gjithë bota i zgjedh presidentët në një moshë të caktuar, që tregon përvojën. Është një njeri që i ka zgjidhur problemet e tij. Ti ke një Itali të tërë që u rikthye prapë te një president që kishte deklaruar se nuk do të vazhdonte më në atë detyrë. 

Duhet të jenë njerëz që e ndjejnë si detyrim, që e marrin përsipër atë detyrë dhe nuk merren me gjëra të tjera. Duhet të jenë shembuj nga ana morale, duhet të gjenden, dhe une mendoj se gjenden”.




Comments are closed.