Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi një takim zyrtar me homologun e tij holandez, David Van Weel, gjatë të cilit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mbështetjen e Holandës në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, ministri Gogu vlerësoi rolin e Holandës si një partner kërkues, por njëkohësisht konstruktiv në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Diskutojmë rezultatet, diskutojmë projekte konkrete sesi Shqipëria të mundet të përfundojë ëndrrën dhe projektin e anëtarësimit europian”, u shpreh ai.
Në qendër të bisedimeve ishin reformat në sistemin e drejtësisë, forcimi i shtetit të së drejtës, rritja e aksesit të qytetarëve në drejtësi përmes ndihmës juridike dhe ndërmjetësimit, si dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar.
Nga ana e tij, ministri holandez David Van Weel, i cili mori detyrën në shkurt të këtij viti, theksoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për Shqipërinë.
“Jemi aleatë në NATO, por gjithashtu Shqipëria është shumë e avancuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe ne po e ndihmojmë Shqipërinë edhe për këtë”, deklaroi Van Weel.
Ai nënvizoi se krimi i organizuar mbetet një sfidë e përbashkët dhe se institucionet e drejtësisë të të dy vendeve bashkëpunojnë ngushtë për ta përballuar atë.
Në përfundim të takimit, të dy ministrat shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit dypalësh, me synimin që Shqipëria të përmbushë objektivat e saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.


