Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, duke pranuar se ai dhe drejtuesit e CDU-së janë “thellësisht të tronditur” nga rezultati dhe përmasat e humbjes së partisë.
“Nuk e prisnim në këtë formë”, deklaroi Merz para gazetarëve në Berlin, ndërsa pranoi se rezultati shënon një moment të rëndësishëm jo vetëm për landin, por për të gjithë politikën gjermane.
“Me këtë ditë, diçka ka ndryshuar jo vetëm në Saksoni-Anhalt, por edhe në Gjermani”, tha kancelari.
Merz u ndal edhe te jehona ndërkombëtare e rezultatit, duke iu referuar reagimeve pozitive që ai ka marrë nga partitë e ekstremit të djathtë jashtë Gjermanisë.
Sipas kancelarit, fakti që pothuajse 60% e votuesve në land kanë mbështetur forca politike që, sipas tij, sfidojnë institucionet dhe rregullat demokratike të Gjermanisë, nuk mund të trajtohet si një zhvillim i zakonshëm.
“Kur gati 60% e votuesve në një shtet federal votojnë për partitë politike që sfidojnë në thelb institucionet dhe rregullat demokratike të vendit tonë, ky është një rezultat zgjedhor që nuk mund ta lëmë mënjanë dhe të vazhdojmë si zakonisht”, deklaroi Merz.
Kancelari pranoi se rezultati e prek edhe personalisht, duke e cilësuar atë si një prej humbjeve më të rënda elektorale të CDU-së në një periudhë shumë të gjatë.
Ai e përshkroi rezultatin si “humbjen më të keqe zgjedhore që CDU pësoi në vite, në dekada”.
Pavarësisht goditjes elektorale, Merz deklaroi se nuk ka ndërmend të ndryshojë objektivat kryesore të politikave të qeverisë së tij. Megjithatë, ai pranoi se CDU-ja dhe qeveria duhet të bëjnë më shumë për të rivendosur lidhjen me qytetarët.
“Ne të gjithë e dimë se duhet të bëjmë më shumë për t’u rilidhur me njerëzit. Kjo vlen për mua si kancelar, unë mbaj përgjegjësinë kryesore”, tha Merz.
Kancelari theksoi se nuk ka ndërmend t’i shmanget përgjegjësisë për rezultatin, duke marrë mbi vete peshën kryesore politike të humbjes së CDU-së në Saksoni-Anhalt.


