Përplasja tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë po hyn në një fazë të re tensioni, pasi Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të ndalojë shitjen e avionëve të kompanisë kanadeze Bombardier në tregun amerikan nëse ata nuk prodhohen në SHBA.
Kërcënimi i Trump erdhi vetëm pak orë përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja kanadeze ndaj produkteve amerikane, me një vlerë prej rreth 20 miliardë dollarësh.
Masat e Otavës hynë në fuqi në orën 00:01 të së martës dhe parashikojnë rritje të ndjeshme të tarifave për disa kategori mallrash të importuara nga Shtetet e Bashkuara.
Mes masave më të forta është rritja në 50% e tarifave për çelikun dhe aluminin amerikan, duke barazuar nivelin e taksave që SHBA-ja aplikon ndaj produkteve kanadeze. Tarifa të reja do të vendosen gjithashtu për produktet e letrës, materialet e ndërtimit, pajisjet elektroshtëpiake dhe produktet bujqësore.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka paralajmëruar se Otava do t’i përgjigjet çdo mase të re të ndërmarrë nga administrata Trump.
Nga ana tjetër, Presidenti amerikan e ka lidhur të ardhmen e Bombardier në tregun e SHBA-së me zhvendosjen e prodhimit në territorin amerikan.
“Nëse duan tregun tonë, duhet të prodhojnë këtu”, deklaroi Trump, duke akuzuar Kanadanë se e trajton SHBA-në si një burim financiar.
Bombardier, me seli në Montreal, reagoi duke theksuar se kompania ka tashmë një prani të konsiderueshme prodhuese në Shtetet e Bashkuara dhe se aktiviteti i saj mbështet dhjetëra mijëra vende pune në ekonominë amerikane.
Përplasja vjen pasi negociatat tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës u ndërprenë muajin e kaluar, pavarësisht se në një moment palët dukej se ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje.
Disa çështje mbetën të pazgjidhura, ndërsa diskutimet përfshinë edhe rregullat për përmbajtjen kanadeze dhe frankofone në platformat e transmetimit, si dhe kërkesat për etiketimin e produkteve në anglisht dhe frëngjisht.
Carney ka kritikuar publikisht mënyrën e zhvillimit të negociatave nga pala amerikane, duke kërkuar që Uashingtoni të heqë dorë nga deklaratat politike dhe të rikthehet në bisedime serioze.
Përshkallëzimi mund të shtrihet edhe përtej tarifave doganore. Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, ka paralajmëruar mundësinë e kufizimit të eksporteve të energjisë elektrike drejt disa shteteve amerikane, përfshirë Nju Jorkun dhe Miçiganin, të cilat marrin furnizime nga Kanadaja.
Një masë e tillë do ta zgjeronte konfliktin tregtar në sektorin energjetik dhe mund të shtonte presionin mbi konsumatorët dhe bizneset në të dyja anët e kufirit.
Megjithëse ekonomia amerikane është shumë më e madhe se ajo kanadeze, ndërvarësia mes dy vendeve e bën një përshkallëzim të mëtejshëm potencialisht të kushtueshëm për të dyja palët. Lidhjet janë veçanërisht të forta në industrinë automobilistike, energji dhe furnizimet industriale.
Në sektorin e automobilave, për shembull, fabrikat kanadeze prodhojnë komponentë të specializuar që përdoren në automjetet e montuara në SHBA, duke e bërë të vështirë zëvendësimin e menjëhershëm të këtyre furnizimeve.
Kërcënimi ndaj Bombardier dhe tarifat e reja kanadeze sinjalizojnë se, në mungesë të rikthimit të negociatave, përplasja mes dy partnerëve të ngushtë tregtarë mund të zgjerohet në sektorë të tjerë strategjikë.


