Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë në Forumin e Dytë të Inovacionit, ku prezantoi objektivat e qeverisë për zhvillimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, nga rritja e eksporteve dhe mbështetja për startup-et, te krijimi i një infrastrukture kombëtare cloud dhe zgjerimi i përdorimit të AI në administratën publike.
Rama tha se sektori i teknologjisë eksporton aktualisht 222 milionë euro produkte, rreth tre herë më shumë se disa vite më parë, ndërsa objektivi i qeverisë është që kjo shifër të arrijë në 1 miliard euro deri në vitin 2030.
Sipas tij, në këtë sektor janë të angazhuar rreth 28 500 profesionistë dhe shtatë në dhjetë prej tyre janë nën moshën 35 vjeç. Teknologjia përfaqëson tashmë rreth 2.2% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, ndërsa Rama theksoi se potenciali për rritje është shumë më i madh.
Kryeministri u ndal edhe te zhvillimi i shërbimeve digjitale, duke bërë të ditur se në platformën e-Albania janë regjistruar 3.4 milionë qytetarë dhe biznese. Sipas tij, vetëm gjatë dy viteve të fundit numri i aplikimeve në platformë është rritur me mbi 40%.
Një nga projektet që Rama e cilësoi të domosdoshëm është ngritja e një strukture publike cloud dhe e një kapaciteti kombëtar kompjuterik, në mënyrë që të dhënat shtetërore të mund të aksesohen në mënyrë të sigurt nga sipërmarrja dhe bota akademike.
Ai kërkoi gjithashtu krijimin e një katalogu kombëtar të të dhënave të hapura me standarde ndërveprueshmërie, ndërsa bëri të ditur se qeveria ka nisur të eksplorojë edhe mundësinë e ngritjes së data centerave në Shqipëri.
Në kontrast me progresin e sektorit publik, Rama tha se bizneset private vazhdojnë të jenë prapa në procesin e digjitalizimit. Sipas shifrave të paraqitura prej tij, vetëm 24% e bizneseve tregtojnë online dhe vetëm 9% e sipërmarrjeve përdorin Inteligjencën Artificiale, pavarësisht se mbi 90% e qytetarëve kanë akses online.
Për të nxitur përdorimin e teknologjisë në ekonomi, qeveria planifikon projekte pilot mes institucioneve shtetërore dhe kompanive private në turizëm, bujqësi, shëndetësi dhe financë.
Rama njoftoi gjithashtu se do të vijojë rritja e mbështetjes financiare për startup-et. Ai tha se këtë vit është dyfishuar fondi në dispozicion, ndërsa qeveria është e gatshme ta rrisë sërish vitin e ardhshëm nëse vazhdon rritja e aplikimeve.
Kryeministri u ndal edhe te edukimi teknologjik. Sipas tij, qeveria dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan po punojnë për zgjerimin e rrjetit të qendrave TUMO përtej Tiranës, ndërsa numri i laboratorëve inteligjentë në shkolla po i afrohet 300. Objektivi, sipas Ramës, është pajisja e të gjitha shkollave me laboratorë të tillë.
Aktualisht, rreth 9 mijë studentë studiojnë në fusha të lidhura me teknologjinë, ndërsa Rama veçoi pjesëmarrjen e lartë të vajzave në këtë sektor.
Një tjetër pjesë e strategjisë lidhet drejtpërdrejt me Inteligjencën Artificiale. Rama njoftoi se programi kombëtar për aftësimin në teknologjinë e AI do të hapet për individët dhe do të bëhet i detyrueshëm për administratën publike.
Sipas tij, ka nisur tashmë integrimi i moduleve të Inteligjencës Artificiale në administratë, fillimisht në drejtoritë juridike, ndërsa synimi është shtrirja e tyre në të gjitha nivelet. Paralelisht, qeveria po punon për një sistem 360 gradë të prokurimit publik me Inteligjencë Artificiale dhe për ridizenjimin e platformës në versionin “e-Albania 2.0”.
Rama deklaroi se edhe sistemi “Diella” është konsoliduar dhe se po punohet për shtrirjen e moduleve të tij në fusha të tjera të administrimit publik.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal gjerësisht edhe te siguria kibernetike. Ai tha se Shqipëria renditet në vendin e parë në National Cyber Security Index 2026 dhe se infrastruktura publike përballet çdo ditë me tentativa sulmesh kibernetike.
“Shqipëria është në sulm të përditshëm, të përditshëm, të përditshëm dhe juve nuk dëgjoni asgjë për këtë sepse të gjitha sulmet përplasen në murin tonë mbrojtës”, tha Rama, ndërsa paralajmëroi se sektori privat duhet të investojë më shumë në mbrojtjen kibernetike.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua edhe marrëdhënies së kompanive private të teknologjisë me shtetin. Duke iu referuar eksperiencës me AKSHI-n, Rama kritikoi atë që e konsideroi varësi të kompanive private nga kontratat dhe buxheti publik, veçanërisht për shërbimet e mirëmbajtjes.
Sipas tij, qeveria synon t’i japë fund gradualisht këtij modeli përmes kompanisë publike të krijuar për të mbuluar shërbimet teknologjike të institucioneve.
“Synimi është që të gjitha shërbimet publike të mbulohen nga kompania jonë publike, natyrisht hap pas hapi”, deklaroi Rama.
Ai sqaroi se kjo nuk përjashton partneritetet me kompani private që ofrojnë zgjidhje të reja dhe inovative, por theksoi se synimi është që bizneset e teknologjisë të orientohen më shumë drejt tregut privat, inovacionit dhe zhvillimit të produkteve të tyre, në vend që aktivitetin ta mbështesin kryesisht te tenderët shtetërorë.
Rama premtoi se buxheti për mbështetjen e sektorit të teknologjisë do të rritet ndjeshëm vit pas viti, duke nxitur bashkëpunimin mes kompanive, universiteteve dhe institucioneve kërkimore.
Në përfundim, kryeministri kërkoi që diskutimet e Forumit të Inovacionit të përqendrohen te problemet reale, propozimet konkrete dhe të zbatueshme dhe bashkëpunimi mes qeverisë, sektorit privat dhe botës akademike për zhvillimin e ekosistemit teknologjik në Shqipëri.


