Shqipëria drejt mbylljes së kapitullit 20 me BE-në, në fokus industria dhe bizneset e vogla

08 Sep 2026 16:33
Shpërndaje:

Në Bruksel janë zhvilluar bisedime në grupin e punës për zgjerimin, me synimin për mbylljen së shpejti të kapitullit 20 në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kapitulli 20, që lidhet me politikën e ndërmarrjeve dhe industrisë, u hap zyrtarisht më 22 maj 2025, gjatë Konferencës së Pestë të Anëtarësimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë në Bruksel.

Ai është pjesë e Grupkapitullit 3, “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, dhe fokusohet në krijimin e një ekonomie konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar drejt inovacionit, si dhe në forcimin e një mjedisi më të favorshëm për biznesin, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Reklamë Ola

Kapitulli 20 është negociuar së bashku me shtatë kapituj të tjerë të këtij grupkapitulli, i cili përfshin fusha të tilla si transformimi digjital, taksimi, politika ekonomike dhe shkenca.

Në kuadër të negociatave, Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë të miratojë dhe zbatojë plotësisht një strategji gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme industriale, si dhe një politikë të harmonizuar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Reklamë InterMedika

Një tjetër kërkesë lidhet me forcimin e koordinimit institucional mes ministrive dhe agjencive përgjegjëse. Shqipëria duhet gjithashtu të vijojë reduktimin e ekonomisë informale dhe të barrës administrative për bizneset e vogla dhe të mesme.

Procesi i negociatave ka avancuar edhe me mbylljen e kapitujve të tjerë. Më 14 korrik u mbyllën tre kapituj negociues, përkatësisht ai për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, Arsimin dhe Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.

Mbyllja e mundshme e kapitullit 20 do të shënonte një tjetër hap në procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ndërsa objektivi i qeverisë shqiptare mbetet anëtarësimi i vendit në BE brenda vitit 2030.