Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka pranuar se marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump kanë rezultuar më të ndërlikuara nga sa kishte parashikuar, pavarësisht afërsisë ideologjike mes tyre në disa prej çështjeve kryesore politike.
Në një intervistë për “The New York Times”, Meloni foli për raportet mes Romës dhe Uashingtonit, por edhe për vizionin e saj mbi rolin e Italisë në arenën ndërkombëtare, identitetin kombëtar dhe debatin mbi barazinë gjinore.
Kryeministrja italiane tha se fillimisht kishte menduar se rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë do ta bënte më të lehtë bashkëpunimin, veçanërisht për shkak të pikëpamjeve të përbashkëta mbi emigracionin dhe çështjet kulturore.
“Është e qartë se me Donald Trump besoja se gjërat do të ishin më të lehta, duke pasur parasysh konvergjencën tonë mbi imigracionin dhe kulturën ‘woke’. Gjërat shkuan ndryshe”, deklaroi Meloni.
Pavarësisht vështirësive të shfaqura në marrëdhëniet me administratën amerikane, Meloni theksoi se politika e jashtme e Italisë nuk përcaktohet nga raportet personale mes liderëve.
“Unë vazhdoj të besoj se uniteti perëndimor është shumë i rëndësishëm. Nuk e vendos strategjinë e Italisë bazuar në marrëdhëniet e mia personale”, u shpreh ajo.
Deklarata tregon përpjekjen e kryeministres italiane për të ruajtur një ekuilibër mes afërsisë politike me Trump dhe interesave strategjike të Italisë në raport me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe aleancën perëndimore.
Meloni foli gjithashtu për mënyrën se si dëshiron që Italia të pozicionohet ndërkombëtarisht, duke kundërshtuar idenë që Roma duhet të ketë një rol dytësor përballë fuqive të tjera.
“Nuk më pëlqen ideja e një Italie të nënshtruar, një Italie që e konsideron veten inferiore ndaj të tjerëve. Një ‘jo’ është një nga gjërat që më mobilizon më shumë”, deklaroi kryeministrja.
Ajo e përshkroi projektin e saj politik si një “revolucion krenarie”, duke e lidhur atë me rikthimin e një ndjenje më të fortë të identitetit dhe sovranitetit kombëtar.
Në intervistë, Meloni u ndal edhe te çështja e barazisë gjinore. Edhe pse është gruaja e parë që drejton qeverinë italiane, ajo vazhdon të mbajë një qëndrim kritik ndaj disa prej qasjeve të lëvizjeve tradicionale feministe dhe vendos theksin te meritokracia dhe mundësitë konkrete për gratë.
“Ajo që ka rëndësi për mua është nëse jam e lirë të bëhem kryeministre. Kjo është barazi, jo të më thërrasin ‘presidente’”, tha Meloni.
Sipas saj, barazia nuk duhet të matet vetëm përmes terminologjisë apo simbolikës, por përmes mundësisë reale që gratë të arrijnë pozicionet më të larta politike dhe profesionale.
Kryeministrja italiane komentoi gjithashtu diskursin e saj të njohur mbi fenë, kombin dhe familjen, tema që kanë qenë në qendër të profilit të saj politik që përpara ardhjes në pushtet.
Sipas Melonit, mbështetja që ka marrë ky mesazh lidhet me një ndjeshmëri më të gjerë të qytetarëve përballë ndryshimeve të shpejta kulturore dhe me dëshirën për të ruajtur identitetin dhe vlerat tradicionale.
Intervista vjen në një moment kur Meloni po përpiqet të forcojë rolin e Italisë në Europë dhe njëkohësisht të ruajë marrëdhënien strategjike me Uashingtonin. Pranimi se raportet me Trump kanë qenë më të vështira nga sa priste nxjerr në pah edhe kufijtë e afërsisë ideologjike, kur në lojë hyjnë interesat kombëtare dhe ekuilibrat ndërkombëtarë.


