Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë të PS, në fokus strategjia e re dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale

28 Aug 2026 08:58
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte në selinë e Partisë Socialiste ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, në vijim të takimeve të fundit të mazhorancës dhe përgatitjeve për organizimin e strukturave në terren.

Takimi është parashikuar të nisë në orën 17:30 dhe vjen pas mbledhjeve dyditore të zhvilluara në Pogradec, si dhe mbledhjes së qeverisë një ditë më parë.

Kryesocialisti pritet t’u japë drejtuesve politikë udhëzimet për takimet që do të zhvillojnë në zonat e tyre elektorale. Në fokus do të jetë prezantimi pranë strukturave socialiste i dokumenteve strategjike të mazhorancës qeverisëse, mes të cilave “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Reklamë Ola

Gjatë takimeve në Pogradec u prezantua gjithashtu platforma “Pasqyrë Albania”, e konceptuar për grumbullimin dhe ndjekjen e ankesave dhe problematikave të qytetarëve. Synimi është që kërkesat të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale institucionin ku ndodhet çështja e tyre dhe fazën e trajtimit.

Platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave. “Flamingo Albania” do të shërbejë për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa “Radar” do të gjurmojë mënyrën dhe rrugën e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Reklamë InterMedika

Krahas zbatimit të strategjisë së re të mazhorancës, socialistët kanë nisur edhe punën përgatitore për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Një tjetër moment i rëndësishëm për organizimin e PS-së pritet të jetë mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, e parashikuar për javën e parë të shtatorit.