×
Thursday, June 18, 2026

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, në rend dite amnistia, Kodi Rrugor dhe tre interpelanca me ministrat

June 18, 2026


Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë çështjesh të rëndësishme, që nga kontrolli parlamentar deri te projektligje me ndikim në fusha të ndryshme.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme dhe me informimin e deputetëve mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE.

Një pjesë e rëndësishme e rendit të ditës do t’i kushtohet interpelancave me anëtarë të qeverisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, do të përballet me një interpelancë urgjente të kërkuar nga deputetë të Partisë Demokratike. Ndërkohë, deputeti Erion Braçe ka kërkuar interpelancë me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ndërsa deputetja Ina Zhupa do të zhvillojë interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Po gjatë seancës, ministrja Evis Sala do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetit Erald Kapri në kuadër të një seance pyetje-përgjigje.

Pas përfundimit të diskutimeve parlamentare, Kuvendi pritet të shqyrtojë një paketë projektligjesh, ku ndër më të rëndësishmit janë projektligji “Për dhënie amnistie”, ndryshimet në Kodin Rrugor, projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, ligji për informacionin elektronik të transportit të mallrave si dhe ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore.

Në pjesën e fundit të seancës do të shqyrtohen edhe disa projektvendime organizative, mes të cilave Plani Strategjik i Kuvendit për periudhën 2026-2030 dhe ngritja e nënkomisioneve parlamentare në fusha të ndryshme, përfshirë auditimin publik, administratën shtetërore, zhvillimin e qëndrueshëm, bujqësinë dhe luftën kundër dezinformimit.




Comments are closed.