Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar mesin e shtatorit për mbajtjen e seancave të deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarve, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.
Sipas njoftimit të gjykatës, seancat do të zhvillohen më 10, 11 dhe 14 shtator. Në këtë proces, përveç Thaçit, të pandehur janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Prokuroria pretendon se, gjatë periudhës prill-nëntor 2023, të akuzuarit kanë tentuar të ndikojnë te dëshmitarët e thirrur në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi përballet me tri akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Ndërkohë, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen secili për tentim të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. Procesi gjyqësor nisi më 27 shkurt, ndërsa Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 13 mars.
Ndërkohë, më 16 shtator pritet të shpallet aktgjykimi në procesin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit të viteve 1998–1999 në Kosovë.
Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për vrasje, torturë dhe përndjekje, akuza që ata i kanë mohuar vazhdimisht, duke u deklaruar të pafajshëm. Prokuroria ka kërkuar dënimin e secilit me nga 45 vjet burgim.
Gjatë procesit, që zgjati rreth tre vjet, dëshmuan mbi 130 dëshmitarë, ndërsa u pranuan edhe 160 deklarata të tjera me shkrim. Të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në vitin 2020.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ku është cilësuar nga shumë qytetarë dhe forca politike si i njëanshëm, për shkak se nuk trajton edhe krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Në mbështetje të të akuzuarve janë organizuar protesta dhe janë vendosur pankarta me mesazhin “Liria ka emër” në qytete të ndryshme të Kosovës.


