×
Saturday, March 6, 2021

Kina i kërkon SHBA-së ndryshim të politikave

February 22, 2021

Kina i bëri thirrje administratës së presidentit të Shteteve të Bashkura, Joe Biden, që t’i heqë kufizimet në tregti dhe të ndalojë atë që Pekini e konsideron si ndërhyrje e pajustifikuar në Tajvan, Hong Kong, Ksinjiang dhe Tibet.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i ka rritur tarifat për importet kineze në vitin 2017 dhe ka vendosur kufizime të tjera mbi kompanitë e teknologjisë kineze.

Trump po ashtu ka rritur bashkëpunimin ushtarak dhe diplomatik me Tajvanin dhe ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve kinezë, që fajësohen për abuzimin e pakicave myslimane në Ksinjiang dhe kufizimin e lirive në Hong Kong.

“Ne shpresojmë që politikëbërësit amerikanë të ecin me hapin e kohës, të shohin qartë trendin e botës, t’i braktisin paragjykimet, të heqin dorë nga dyshimet e pajustifikuara dhe të lëvizin për të siguruar një zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-SHBA”, tha ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi.

Biden ka premtuar riangazhim, por është e paqartë nëse administrata e tij do të bëjë ndonjë ndryshim thelbësor në politikat e Uashingtonit ndaj Pekinit.

Kina përballet me kundërshtim të fortë në Uashington, për shkak të politikave të saj tregtare, mosmarrëveshjeve territoriale me fqinjët dhe akuzave për vjedhje të teknologjisë dhe spiunim.

Wang tha se Kina “nuk ka qëllim t’i sfidojë ose zëvendësojë Shtetet e Bashkuara”, porse “është e përgatitur të bashkëjetojë në mënyrë paqësore”.

Biden, në fjalimin e tij të parë para një audience globale më 19 shkurt, tha se SHBA-ja dhe aleatët e saj “duhet të përgatiten për një garë strategjike afatgjate me Kinën”.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për