KFOR dhe Policia e Kosovës rikonfirmojnë bashkëpunimin për forcimin e sigurisë

03 Aug 2026 20:20
Shpërndaje:

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ozkan Ulutash, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, kanë rikonfirmuar angazhimin për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy institucioneve në funksion të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e Policisë së Kosovës, drejtuesit e dy institucioneve diskutuan mbi situatën e sigurisë në vend, bashkëpunimin e deritanishëm dhe aktivitetet e përbashkëta që kontribuojnë në garantimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët.

Sipas një njoftimi të KFOR-it, në takim u vlerësua rëndësia e koordinimit të ngushtë ndërmjet misionit të udhëhequr nga NATO dhe Policisë së Kosovës, si dhe u riafirmua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit institucional, forcimin e shkëmbimit të informacionit dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.

Reklamë Ola

Palët theksuan se këto masa synojnë të garantojnë një ambient më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ritheksoi se misioni i NATO-s do të vazhdojë të punojë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore të sigurisë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë banorët e Kosovës, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente.

Reklamë InterMedika

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua edhe për aktivitetet e përbashkëta operacionale që ndikojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në nivel kombëtar.

Sipas Policisë, bashkëpunimi, mirëbesimi dhe koordinimi i vazhdueshëm mes dy institucioneve mbeten elementë kyç për forcimin e mëtejshëm të sigurisë publike dhe stabilitetit në Kosovë.