Katër vende të BE-së kërkojnë përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar Ukrainën

27 Aug 2026 13:11
Shpërndaje:

Holanda, Polonia, Spanja dhe Suedia i kanë kërkuar Bashkimit Evropian të rikthejë në diskutim mundësinë e përdorimit të aseteve shtetërore ruse të ngrira për të mbështetur financiarisht Ukrainën, e cila po përballet me një boshllëk të madh në financimin e luftës.

Katër vendet i janë drejtuar me një letër shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe ministres së Jashtme të Irlandës, Helen McEntee, përpara takimit informal të ministrave të Jashtëm që do të zhvillohet javën e ardhshme në Wicklow të Irlandës.

Në letrën e datës 27 gusht, të siguruar nga POLITICO, vendet argumentojnë se situata financiare e Kievit kërkon që çështja e aseteve ruse të rikthehet në tryezën e diskutimeve.

Reklamë Ola

“Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje financiare si në afat të shkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë. Besojmë se tani është koha për t’iu rikthyer çështjes se si mund t’i përdorim më tej asetet e bllokuara të Rusisë në dobi të Ukrainës”, thuhet në letër.

Thirrja vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se vendi i tij përballet me një mungesë prej rreth 23 miliardë eurosh në financimin e mbrojtjes.

Reklamë InterMedika

Në qendër të debatit janë rreth 210 miliardë euro asete shtetërore ruse të ngrira në Bashkimin Evropian, pjesa më e madhe e të cilave ndodhen pranë depozitarit financiar Euroclear me seli në Bruksel.

Udhëheqësit e BE-së nuk arritën në dhjetor një marrëveshje për një plan që parashikonte përdorimin e këtyre aseteve si bazë për një hua të madhe për Ukrainën. Belgjika kundërshtoi propozimin, duke kërkuar garanci të gjera nga vendet e tjera të BE-së për ta mbrojtur nga pasojat e mundshme ligjore dhe financiare të një reagimi rus.

Në mungesë të një marrëveshjeje, vendet e BE-së vendosën të siguronin financim përmes borxhit të përbashkët në tregjet financiare, me qëllim dhënien e një huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Fondet parashikohet të shpërndahen gjatë 18 muajve dhe lidhen me zbatimin e reformave nga qeveria ukrainase.

Zelenskyy po kërkon që një pjesë më e madhe e këtyre parave të vihet në dispozicion menjëherë, por një vendim i tillë mund të hasë kundërshtime nga disa kryeqytete evropiane për shkak të kushteve të vendosura për reformat.

Belgjika ka sinjalizuar së fundmi se është e gatshme t’i rikthehet diskutimit për asetet ruse, por vazhdon të kërkojë që rreziqet e mundshme financiare dhe ligjore të ndahen mes të gjitha vendeve anëtare.

Edhe Holanda, Polonia, Spanja dhe Suedia pranojnë se çështja është komplekse dhe kërkojnë nga ekspertët e Komisionit Evropian të shqyrtojnë alternativa të reja.

Sipas tyre, çdo mekanizëm i ri duhet të garantojë që rreziku të ndahet mes të gjitha shteteve anëtare dhe që asnjë vend të mos mbajë një barrë joproporcionale.