Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka bërë thirrje Greqisë të “ndryshojë kurs” lidhur me ishujt e Egjeut, duke kërkuar ndalimin e asaj që Ankaraja e konsideron militarizim të ishujve që, sipas interpretimit turk të traktateve ndërkombëtare, duhet të kenë status të demilitarizuar.
Deklaratat e Erdogan vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë vazhdojnë të shoqërohen nga mosmarrëveshje për çështjet e Egjeut dhe interpretimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që përcaktojnë statusin e disa prej ishujve.
Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, pas kthimit nga Bishkeku i Kirgistanit, ku mori pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, Erdogan deklaroi se Turqia nuk ka pretendime territoriale ndaj vendeve të tjera.
Megjithatë, presidenti turk paralajmëroi se Ankaraja nuk do të lejojë, sipas tij, cenimin e të drejtave të Turqisë.
“Turqia nuk ka ambicie për territorin e askujt, por nuk do të lejojë askënd të shkelë të drejtat e saj”, deklaroi Erdogan.
Ai i kërkoi Athinës të largohet nga ajo që e cilësoi si një “rrugë të gabuar” dhe të veprojë në përputhje me traktatet ndërkombëtare.
Sipas Erdogan, mosrespektimi apo interpretimi i njëanshëm i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk i shërben interesave të asnjërës palë dhe mund të ndikojë negativisht në stabilitetin e rajonit.
Presidenti turk theksoi gjithashtu se qëndrimi i kujdesshëm i Ankarasë në raport me Athinën nuk duhet të interpretohet si shenjë dobësie.
“Kushdo që e interpreton qasjen e qetë dhe racionale të Turqisë si dobësi, po bën një gabim serioz”, u shpreh Erdogan.
Çështja e statusit dhe militarizimit të ishujve të Egjeut mbetet një prej pikave të vazhdueshme të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, ndërsa Ankaraja dhe Athina kanë qëndrime të ndryshme mbi mënyrën e interpretimit të traktateve ndërkombëtare.


