Përplasje Putin-Pashinyan për rrugën e Armenisë drejt BE-së, presidenti rus: Pyeteni popullin me referendum

02 Sep 2026 23:21
Shpërndaje:

Takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit armen Nikol Pashinyan në Kirgistan është shoqëruar me një përplasje të pazakontë publike për orientimin e ardhshëm të Armenisë dhe aspiratën e Jerevanit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Në qendër të debatit ishte përputhshmëria mes procesit të afrimit të Armenisë me BE-në dhe anëtarësimit të saj aktual në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, organizatë e udhëhequr nga Rusia.

Putin argumentoi se anëtarësimi i njëkohshëm në të dyja strukturat është i pamundur dhe i sugjeroi Pashinyanit që vendimi për orientimin strategjik të vendit t’i lihet qytetarëve armenë përmes një referendumi.

Reklamë Ola

“Ju jeni të vetëdijshëm për qëndrimin e Rusisë. Edhe pse Armenia nuk ka njoftuar tërheqjen e saj nga EAEU, ajo ka miratuar një ligj mbi procesin e anëtarësimit në një organizatë tjetër ekonomike, i cili, në fakt, përbën një njoftim për tërheqjen e saj nga Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, pasi anëtarësimi i njëkohshëm në të dy organizatat është i pamundur”, deklaroi Putin.

Presidenti rus këmbënguli se zgjedhja përfundimtare duhet t’i takojë popullit armen.

Reklamë InterMedika

“Pajtohem që populli duhet të ketë gjithmonë një zgjedhje. Pra, bëjeni dhe ne do ta mbyllim çështjen. Kaq është. Tani për tani, gjëja më e thjeshtë është t’i drejtohesh popullit dhe ta pyesësh: çfarë dëshiron”, u shpreh Putin.

Pashinyan, nga ana tjetër, kundërshtoi idenë se afrimi i Armenisë me Bashkimin Europian duhet të interpretohet si një lëvizje kundër Rusisë. Ai theksoi se Jerevani vazhdon t’i konsiderojë të rëndësishme marrëdhëniet me Moskën dhe pranoi se Armenia ende nuk ndodhet përpara një zgjedhjeje përfundimtare mes dy alternativave.

“Ky proces nuk është kundër Rusisë, jo kundër Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, sepse Armenia i vlerëson shumë marrëdhëniet e saj me Rusinë. Ne e kuptojmë se do të vijë koha kur do të na duhet të bëjmë një zgjedhje shumë specifike”, deklaroi kryeministri armen.

Sipas Pashinyanit, aktualisht alternativa e anëtarësimit në BE nuk është materializuar deri në atë pikë sa Jerevani të detyrohet të marrë një vendim përfundimtar.

“Por tani për tani, në thelb nuk kemi alternativë. Kjo alternativë nuk është krijuar në realitet. Kur të krijohet, atëherë, sigurisht, ne do të bëjmë një zgjedhje. Me apo pa një referendum”, shtoi ai.

Përplasja publike vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes Moskës dhe Jerevanit, ndërsa Armenia po thellon gradualisht marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Perëndimin.

Rusia ka vendosur së fundmi edhe kufizime të përkohshme ndaj importeve të disa produkteve armene, ndërsa Moska ka paralajmëruar se vazhdimi i kursit të Jerevanit drejt Bashkimit Europian mund të vendosë në pikëpyetje anëtarësimin e Armenisë në strukturat ekonomike të drejtuara nga Rusia.

Debati mes Putin dhe Pashinyan nxjerr kështu në pah dilemën strategjike me të cilën përballet Armenia, ndërsa përpiqet të thellojë marrëdhëniet me BE-në pa ndërprerë lidhjet e saj të rëndësishme ekonomike me Rusinë.