Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përshëndetur miratimin e raportit të progresit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, duke e cilësuar votimin si një tjetër dëshmi të mbështetjes së fortë për rrugën evropiane të vendit.
Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se raporti u miratua në seancë plenare me 483 vota pro nga 656 eurodeputetë pjesëmarrës në votim, ose rreth 74% mbështetje, pas miratimit paraprak në Komitetin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian gjatë muajit maj.
Sipas ministrit, rezultati riafirmon besimin e institucioneve europiane te progresi i Shqipërisë dhe te reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit.
“Mesazhi është i qartë: Udhëtimi evropian i Shqipërisë po përparon, përpjekjet tona për reforma po japin rezultate të prekshme dhe objektivi ynë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian është realist dhe i arritshëm”, shkroi Hoxha.
Ai shprehu mirënjohjen për Parlamentin Europian, raportuesin për Shqipërinë, Andreas Schieder, si dhe për të gjithë mbështetësit e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
Hoxha nënvizoi se negociatat e anëtarësimit mbeten një instrument i rëndësishëm për thellimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve europiane, ndërsa ritheksoi angazhimin e Shqipërisë për të ruajtur ritmin e transformimeve.
Sipas tij, vendi synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Europian brenda vitit 2030.


