Hoxha në Vilnius: Shqipëria dhe Lituania forcojnë bashkëpunimin, firmoset marrëveshja për tatimin e dyfisht
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po zhvillon një vizitë zyrtare në Vilnius, ku është pritur nga homologu i tij lituanez, Kęstutis Budry. Takimi mes dy ministrave ka konfirmuar marrëdhëniet e mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Lituanisë, të bazuara në vlerat e përbashkëta evropiane dhe angazhimin në kuadër të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
Gjatë bisedimeve, ministri Hoxha ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Lituania i jep procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së si një proces i bazuar në meritë dhe rezultate konkrete.
Nga ana e tij, ministri lituanez Budry vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, duke e cilësuar vendin si një shembull pozitiv të funksionimit të procesit të zgjerimit kur ai mbështetet në reforma të qëndrueshme dhe angazhim institucional.
Një nga momentet kryesore të vizitës ishte edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, një hap që synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë më tej investimet dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Në deklarimet e tij, Hoxha vlerësoi gjithashtu rolin e Lituanisë në çështjet e sigurisë evropiane, veçanërisht përballë agresionit rus në Ukrainë, duke theksuar se qëndrimi i përbashkët me aleatët mbetet thelbësor për mbrojtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.
“Qëndrimi i përbashkët me partnerët tanë mbetet thelbësor për mbrojtjen e paqes, lirisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, u shpreh ministri.
Ai rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën, duke theksuar respektin për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.
Vizita e ministrit Hoxha në Lituani do të vijojë me takime të tjera me përfaqësues të Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe me Qendrën e Studimeve për Siguri dhe Gjeopolitikë, ku pritet të diskutohen mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, teknologji dhe turizëm.







