Hoxha: 12 Qershori shënoi fundin e dhunës dhe fillimin e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë

12 Jun 2026 13:11
Shpërndaje:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përkujtuar 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, duke e cilësuar 12 Qershorin si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxha theksoi se kjo datë shënon fundin e një periudhe të errët të dhunës, represionit dhe spastrimit etnik, si dhe fillimin e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, paqes dhe ndërtimit të një shteti demokratik.

“12 Qershori nuk është thjesht një datë në kalendarin e Kosovës, por një nga momentet më përcaktuese në historinë e saj moderne: fundi i një periudhe të dhimbshme dhune, represioni dhe spastrimi etnik, dhe fillimi i udhëtimit drejt lirisë, paqes dhe ndërtimit të një të ardhmeje demokratike”, shkroi Hoxha.

Reklamë Ola

Ai shprehu mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, duke nderuar sakrificat e bëra për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Sipas Hoxhës, përvjetori i çlirimit është gjithashtu një moment reflektimi mbi arritjet e Kosovës në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.

Reklamë InterMedika

“Sot, në 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit, ne kujtojmë dhe nderojmë me përulësi sakrificën e të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës, ndërsa njëkohësisht vlerësojmë progresin e arritur në konsolidimin e shtetit, demokracisë dhe rolin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Në mesazhin e tij, ministri theksoi se liria nuk duhet parë vetëm si një e drejtë e fituar, por edhe si një përgjegjësi që duhet ruajtur dhe forcuar për brezat e ardhshëm.

“Liria nuk është vetëm një e drejtë e fituar. Është një përgjegjësi që ruhet dhe forcohet për brezat që vijnë”, përfundoi Hoxha.