Hita pret drejtuesit e Policisë italiane: Forcohet bashkëpunimi kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi një takim me Drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar të Policisë italiane, Drejtues i Lartë Lorenzo Bucossi, dhe Drejtorin e Shërbimit Qendror Operativ të Policisë së Shtetit italian, Drejtues i Lartë Marco Cali.
Gjatë takimit, palët vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit mes institucioneve policore të Shqipërisë dhe Italisë, si dhe rezultatet konkrete të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe kapjes së personave në kërkim ndërkombëtar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore, ku Shqipëria rezulton të ketë numrin më të madh të këtyre strukturave të përbashkëta me autoritetet italiane. Sipas palëve, ky fakt dëshmon nivelin e lartë të besimit reciprok dhe efektivitetin e bashkëpunimit operacional.
Në takim u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi për monitorimin ajror dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, një model që ka sjellë rezultate konkrete dhe është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Policisë shqiptare, si në aspektin operacional, ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve profesionale.
Palët ndalën vëmendjen edhe te bashkëpunimi në fushën e edukimit policor, duke vlerësuar kontributin e partnerëve italianë për Akademinë e Sigurisë përmes literaturës profesionale, shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira të trajnimit.
Në përfundim të takimit, të dyja palët riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik, zgjerimin e shkëmbimit të informacionit dhe zhvillimin e iniciativave të reja të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë me karakter ndërkombëtar.







