Gogu: Buxheti për drejtësinë është dyfishuar, 709 vende të reja pune në gjashtë vite
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se financimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme gjatë gjashtë viteve të fundit, ndërsa theksoi se reforma në drejtësi ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku fokusi kryesor mbetet performanca dhe rezultatet konkrete për qytetarët.
Gjatë tryezës së organizuar me partnerët e sistemit të drejtësisë, Gogu bëri të ditur se buxheti i shtetit për këtë sektor është rritur nga 66 milionë euro në vitin 2020 në 135.6 milionë euro aktualisht, duke shënuar një rritje prej mbi 105 për qind.
“Në vitin 2020, buxheti i shtetit për sistemin e drejtësisë ishte 66 milionë euro. Sot është 135.6 milionë euro, një rritje prej më shumë se 105 për qind në gjashtë vite. Gjatë kësaj periudhe janë shtuar 709 vende pune në sistem”, deklaroi ministri.
Gogu vlerësoi gjithashtu kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në mbështetje të reformës në drejtësi, duke bërë të ditur se për periudhën 2025-2027 mbështetja financiare e tyre arrin në rreth 43.8 milionë euro.
“Mbështetja e partnerëve për periudhën 2025–2027 arrin rreth 43.8 milionë euro, një kontribut i rëndësishëm dhe strategjik që plotëson investimin e shtetit shqiptar. Modeli që besoj se duhet të bëhet standard është ai i bashkëfinancimit”, tha ai.
Ministri solli si shembull investimet në digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, duke theksuar se projekti për sistemin ICMS (Juronix + CAMS) është financuar me 2.5 milionë euro nga Suedia dhe me 9.6 milionë euro nga qeveria shqiptare.
“Për sistemin ICMS (Juronix + CAMS), Suedia kontribuoi me 2.5 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare 9.6 milionë euro nga buxheti i shtetit”, u shpreh Gogu.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian ka financuar me 7.5 milionë euro sistemin CAMS të prokurorisë, duke e cilësuar këtë si një shembull konkret të bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Ky është partneritet. Ky është bashkëfinancim”, theksoi ministri.
Gjatë fjalës së tij, Gogu propozoi një qasje të re koordinimi mes institucioneve dhe donatorëve, duke kaluar nga logjika e financimit të projekteve individuale drejt vlerësimit të rezultateve konkrete që përfitojnë qytetarët.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet tashmë në një etapë të re të reformës në drejtësi, ku rëndësi ka jo vetëm ngritja e institucioneve të reja, por edhe efektiviteti i tyre në praktikë.
“Për vite me radhë pyetja ishte nëse mund të ndërtonim institucionet e reja të drejtësisë. Sot pyetja është nëse ato po japin rezultatet që presin qytetarët”, deklaroi ministri i Drejtësisë.
Ai nënvizoi se forcimi i institucioneve, modernizimi i shërbimeve dhe rritja e transparencës mbeten objektiva kyçe për të garantuar një sistem drejtësie më efikas dhe më të besueshëm për qytetarët shqiptarë.







