Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për ndalimin e dhunës ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke u kërkuar njëkohësisht vendeve të komunitetit ndërkombëtar të shtojnë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës.
Pas lutjes së përjavshme, Ati i Shenjtë dënoi “aktet e përsëritura të dhunës” ndaj popullsisë palestineze dhe theksoi nevojën për një angazhim më të madh ndërkombëtar në funksion të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon.
Vatikani ka mbështetur vazhdimisht zgjidhjen me dy shtete, të bazuar në kufij të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht, si rrugën më të mirë për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez.
Gjatë fjalës së tij, Papa Leoni XIV u ndal edhe te nisja e Lojërave Mesdhetare në Taranto të Italisë, duke shprehur shpresën se ky aktivitet sportiv do të shërbejë si simbol i paqes, dialogut dhe vëllazërisë mes popujve të Mesdheut dhe më gjerë.
Në Lojërat Mesdhetare marrin pjesë sportistë nga vendet e Evropës, Azisë dhe Afrikës që kufizohen me Detin Mesdhe.


