Edi Rama takon Kim Min-seok në Seul, fokus bashkëpunimi në inteligjencën artificiale
Kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Min-seok, u takua me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, ku diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, sipas raportimit të The Korea Times.
Gjatë takimit, Kim theksoi se pret me interes zgjerimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit me Shqipërinë, duke veçuar faktin që vendi ka emëruar atë që konsiderohet si “ministri i parë në botë për inteligjencën artificiale”. Ai nënvizoi se edhe Koreja e Jugut i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama vlerësoi Korenë e Jugut si një model frymëzimi për zhvillimin kombëtar të Shqipërisë. Ai theksoi se të dy vendet ndajnë ngjashmëri në rrugëtimin e tyre historik, duke kapërcyer vështirësi dhe duke arritur zhvillim ekonomik dhe konsolidim demokratik, pavarësisht distancës gjeografike.
Rama shtoi se Shqipëria është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin me Korenë e Jugut në fusha kyçe si tregtia, investimet dhe inteligjenca artificiale.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Kryeministrit shqiptar në Seul, ku ai mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare me fokus lidershipin dhe zhvillimin global.







