Dyshimet për spiunazh të BIA-s në Kosovë, nga infiltrimi në institucione te ndikimi politik

07 Sep 2026 18:14
Shpërndaje:

Disa persona janë arrestuar në Kosovë gjatë pak më shumë se dy viteve të fundit nën dyshimin se kanë spiunuar për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ndërsa rastet e hetuara nga Prokuroria Speciale tregojnë interes për një gamë të gjerë informacionesh, nga Policia dhe inteligjenca e Kosovës te zhvillimet politike, zgjedhjet dhe individët me ndikim.

Rastet, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, nuk provojnë në vetvete ekzistencën e një operacioni të vetëm apo të një rrjeti të koordinuar të BIA-s në Kosovë. Disa prej proceseve vazhdojnë në gjykatë, ndërsa për raste të tjera tashmë janë dhënë dënime.

Një nga çështjet më të fundit është ajo ndaj Fatmir Shehollit, gjykimi i të cilit nisi më 7 shtator në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai akuzohet për spiunazh dhe shantazh, ndërsa Prokuroria Speciale pretendon se ishte rekrutuar nga BIA për të mbledhur informacione mbi zhvillimet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Reklamë Ola

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet gjithashtu se ka marrë pjesë në një plan për komprometimin e zyrtarëve të Kosovës dhe ndërhyrjen në zgjedhjet lokale të vitit 2025.

Në telefonin e tij, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe fotografia e një dokumenti të titulluar “Top sekret 2”, ku pretendohet ekzistenca e një plani për përdorimin e fesë islame për përçarjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e perceptimit të Perëndimit ndaj Kosovës.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, autorësia dhe autenticiteti i këtij dokumenti nuk janë sqaruar publikisht. Bashkësia Islame e Kosovës ka mohuar pretendimet që përmban dokumenti dhe ka kërkuar hetimin e origjinës dhe vërtetësisë së tij.

Në raste të tjera, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen se kanë mbledhur dhe përcjellë informacione të lidhura me UÇK-në, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Sipas aktakuzës, Shabani kishte mbledhur edhe materiale për masakrën e Reçakut, ndërsa Qerimi informacione për dëshmitarë të Gjykatës Speciale. Të dy janë deklaruar të pafajshëm dhe procesi ndaj tyre vazhdon.

Fehim Sali dyshohet se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka mbledhur dhe përcjellë informacione dhe dokumente për persona të caktuar në Kosovë, përfshirë individë që Prokuroria i përshkruan si pjesëtarë të qarqeve vehabiste. Ndërkohë, Aleksandar Vllajiq dhe Jellena Gjukanoviq janë mes personave që tashmë janë dënuar për spiunazh.

Eksperti Dushan Janjiq, themelues i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se një nga objektivat kryesore të shërbimeve të inteligjencës është sigurimi i burimeve njerëzore që mund të ofrojnë informacione ose të ushtrojnë ndikim brenda institucioneve.

“Punohet më së shumti në përfitimin e njerëzve. Qoftë për informacione, qoftë për ndikim përmes institucioneve”, tha Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, interesi nuk kufizohet vetëm te dokumentet, por përfshin edhe individët që kanë qasje në informacione të rëndësishme apo ndikim në institucione dhe ekonomi.

Daniel Lomas, profesor i inteligjencës dhe sigurisë në Universitetin e Nottinghamit, shpjegon se mbledhja e informacionit zakonisht përbën vetëm fazën e parë të veprimtarisë së një shërbimi inteligjent.

“Fillimisht përpiqesh të marrësh informacion nga burimet, pra për politikën e një vendi, ekonominë e një vendi, kush është lart, kush është poshtë, thashetheme politike, duke zhvilluar rrjete njerëzish në gjithë shoqërinë”, tha Lomas.

Sipas tij, burimet brenda institucioneve të sigurisë janë veçanërisht të rëndësishme për shkak të qasjes që mund të kenë në të dhëna dhe kompetenca që qytetarët e zakonshëm nuk i kanë. Ato mund të ndihmojnë gjithashtu në identifikimin e personave të tjerë që mund të bëhen objekt rekrutimi.

Ekspertët theksojnë se informacionet e siguruara mund të analizohen për të identifikuar dobësi dhe përçarje brenda qeverive, partive politike ose shoqërisë dhe, potencialisht, të përdoren më pas për ushtrimin e ndikimit.

“Inteligjenca të lejon të hapësh çarje brenda qeverive, partive politike, shoqërisë më të gjerë, sepse të jep njohuri të qarta se si ta shfrytëzosh një shoqëri të caktuar”, shpjegoi Lomas.

Megjithatë, ai paralajmëron se rastet e zbuluara në Kosovë nuk dëshmojnë automatikisht ekzistencën e një strategjie të koordinuar të BIA-s. Proceset gjyqësore lidhen me përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar dhe një pjesë e pretendimeve të Prokurorisë nuk janë provuar ende me vendime përfundimtare.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar BIA-s për një qëndrim mbi rastet dhe pretendimet për aktivitetet e saj në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk kanë dhënë as Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë për pyetjet lidhur me përmasat e mundshme të veprimtarisë së inteligjencës serbe.

Sipas Lomas, spiunazhi në vetvete nuk është domosdoshmërisht i mjaftueshëm për të destabilizuar një shtet, por shërbimet e huaja mund të identifikojnë ndarjet dhe pakënaqësitë që ekzistojnë dhe më pas t’i shfrytëzojnë apo amplifikojnë ato.

Për Janjiqin, veprimtaria e inteligjencës duhet parë edhe në kontekstin e politikës së Serbisë për të mos njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, Beogradi ka interes për informacione që mund të përdoren për diskreditimin e Kosovës.

Ekspertët vlerësojnë se përgjigjja ndaj këtyre rreziqeve duhet të përfshijë jo vetëm arrestimet, por edhe forcimin e kundërzbulimit, identifikimin e institucioneve dhe personave më të cenueshëm ndaj rekrutimit dhe rritjen e shkëmbimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë.

Megjithatë, rastet e zbuluara deri tani nuk japin një panoramë të plotë për përmasat e mundshme të veprimtarisë së BIA-s në Kosovë. Nuk dihet publikisht sa persona mund të jenë rekrutuar, sa mund të kenë zgjatur lidhjet e tyre me inteligjencën serbe apo sasia e informacionit që mund t’i jetë përcjellë asaj. Për disa prej personave të akuzuar, këto pretendime mbeten ende për t’u provuar përfundimisht në gjykatë.