Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar për një përgjigje të ashpër ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus, ndërsa ka deklaruar se Moska është e gatshme për negociata vetëm nëse merret parasysh “realiteti aktual në terren”. Deklaratat u bënë gjatë asamblesë së partisë Rusia e Bashkuar, në prag të zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.
Putin u shfaq për herë të dytë brenda një muaji përpara strukturave të partisë së tij, duke përcjellë një mesazh stabiliteti dhe uniteti përpara zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 18-20 shtator.
Rusia e Bashkuar pritet të fitojë zgjedhjet, pavarësisht se sipas sondazheve të cituara mbështetja për partinë aktualisht qëndron rreth 33%. Hapësira politike për kundërshtarët e Kremlinit mbetet e kufizuar, ndërsa partia pacifiste Jabloko është eliminuar nga gara.
Në parlament pritet të ruajnë praninë edhe komunistët, liberal-demokratët dhe partia “Njerëz të Rinj”, të cilat mbështesin në shkallë të ndryshme linjën e Kremlinit për luftën në Ukrainë.
Putin falënderoi publikisht forcat e tjera politike për atë që e cilësoi si qëndrim “shtetëror dhe patriotik” dhe për mbështetjen ndaj vendit dhe kreut të shtetit.
Fjalimi në pallatin Megasport u dominua nga retorika patriotike, ndërsa aktiviteti përkoi me Ditën e Flamurit Kombëtar. Presidenti rus foli për unitetin e vendit, vlerat kombëtare dhe procesin zgjedhor, duke sulmuar njëkohësisht autoritetet ukrainase dhe duke pretenduar se qeverisjes në Kiev “i mungon legjitimiteti”.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua luftës dhe sulmeve të Ukrainës ndaj objektivave ekonomikë dhe logjistikë brenda territorit rus.
Putin pranoi se këto goditje po shkaktojnë dëme ekonomike dhe humbje, por argumentoi se ato nuk kanë arritur të ndryshojnë rrjedhën e luftës. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se përgjigjja e Moskës do të jetë shumë më e fortë.
“Regjimi i Kievit e hapi vetë këtë kuti të Pandorës, por masat hakmarrëse nuk do të vonojnë dhe do të jenë shumë më të fuqishme dhe shumë më shkatërruese”, deklaroi Putin.
Duke folur më pas për gazetarin e televizionit shtetëror Pavel Zarubin, presidenti rus mbrojti sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase, duke i cilësuar ato si “në kohën e duhur dhe efektive”.
Sipas tij, bombardimet ndihmojnë forcat ruse në vijën e frontit “që të arrijnë objektivat e tyre ushtarake”.
Tone të ashpra ndaj Perëndimit përdorën edhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë. Ish-presidenti Dmitry Medvedev foli për thirrje për “shkatërrimin e Rusisë” që, sipas tij, vijnë nga Perëndimi.
Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov sulmoi ashpër Evropën dhe përjashtoi mundësinë që Moska të zhvillojë negociata të ndërmjetësuara nga shtete evropiane që mbështesin Kievin.
Edhe Putin tregoi se Moska nuk synon të pranojë propozime që bien ndesh me kushtet e saj për përfundimin e konfliktit.
“Propozimet për marrëveshje që na paraqiten janë shpesh fëminore dhe të papranueshme. Ne jemi të gatshëm të negociojmë me Ukrainën, por duke u bazuar në realitetin aktual në terren”, deklaroi ai.
Qëndrimi sinjalizon se Kremlini vazhdon ta lidhë çdo negociatë të mundshme me situatën ushtarake dhe territoriale të krijuar gjatë luftës, ndërsa nuk tregon gatishmëri për të tërhequr kërkesat e tij lidhur me territoret ukrainase.
Asambleja e Rusisë së Bashkuar u mbyll me duartrokitje për Putinin dhe thirrje nacionaliste, ndërsa presidenti rus hyn në sezonin zgjedhor duke kombinuar mesazhet për stabilitetin e brendshëm me një linjë gjithnjë e më të ashpër ndaj Ukrainës dhe vendeve perëndimore.


