Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, e ka cilësuar zgjerimin si investimin më të madh gjeopolitik të Bashkimit Europian, duke shprehur bindjen se përfshirja e Shqipërisë, vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë do të jetë një tjetër histori suksesi për Europën.
Duke folur nga Italia, Costa solli në vëmendje zgjerimet e mëparshme të BE-së, të cilat, sipas tij, kanë ndihmuar në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, prosperitetit dhe qëndrueshmërisë së përbashkët.
“Merrni shembullin e zgjerimit – investimi më i madh gjeopolitik që Europa ka bërë ndonjëherë. Zgjerimi ka forcuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin e qëndrueshmërinë tonë të përbashkët”, deklaroi Costa.
Presidenti i Këshillit Europian theksoi se zgjerimi i ardhshëm drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, si edhe Ukrainës dhe Moldavisë, do të forcojë më tej rolin gjeopolitik të Bashkimit Europian.
“Zgjerimi i ardhshëm – drejt Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor – do ta forcojë më tej Bashkimin Europian si një aktor gjeopolitik për paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Kjo është një histori suksesi europiane dhe ne duhet ta pranojmë me besim”, u shpreh ai.
Costa iu përgjigj gjithashtu kritikëve që argumentojnë se Europa po humbet terren përballë fuqive të tjera globale. Ai pranoi se BE-ja duhet të përmirësojë konkurrueshmërinë dhe aftësinë për të reaguar më shpejt dhe në mënyrë më të bashkuar, por kundërshtoi idenë se kontinenti ndodhet në rënie.
“Për këtë arsye, nuk pajtohem me krahasimet e thjeshta që sugjerojnë se Europa thjesht po mbetet prapa. Sigurisht, Europa duhet të përmirësojë konkurrueshmërinë dhe shkathtësinë e saj për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më e bashkuar. Por jo sepse jemi në rënie”, deklaroi Costa.
Presidenti i Këshillit Europian është shprehur vazhdimisht në mbështetje të procesit të zgjerimit dhe perspektivës europiane të Shqipërisë. Ai ka mbështetur objektivin e anëtarësimit të vendit brenda vitit 2030 dhe e ka konsideruar Shqipërinë një prej vendeve që po avancon në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Sipas Costas, zgjerimi nuk duhet parë vetëm si një proces për vendet kandidate, por si një investim strategjik që mund ta bëjë vetë Bashkimin Europian më të fortë, më të sigurt dhe më me ndikim në arenën ndërkombëtare.


