Rama shpërndan tekstin kundër “industrisë së llumit”: Ah, sikur ta kisha shkruar vetë

07 Sep 2026 15:38
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një tekst të gjatë mbi gjuhën dhe mënyrën e komunikimit në hapësirën publike, duke sqaruar që në fillim se shkrimi nuk është i tij, por se do të dëshironte ta kishte shkruar vetë.

“Rreshtat më poshtë nuk i kam shkruar unë, po është një nga ato raste kur njeriu thotë: Ah, sikur t’i kisha shkruar vetë”, shkruan Rama, ndërsa u bën thirrje ndjekësve ta lexojnë tekstin, pasi sipas tij në të do të gjejnë “shumë fytyra, zëra dhe mashtrime e dyfytyrësira nga jeta e përditshme para pasqyrave teknologjike”.

Teksti i shpërndarë nga kryeministri i përket Brooks Williams, administrator i qytetit Ferris në Teksas të Shteteve të Bashkuara, dhe përmban kritika të ashpra ndaj asaj që autori e përshkruan si një “industri llumi”, e ndërtuar mbi shtrembërimin e fakteve, poshtërimin, panikun dhe zemërimin.

Reklamë Ola

“Hapësira publike është kthyer në një sistem kanalesh të ujërave të zeza”, thuhet në tekst, ku argumentohet se titujt, videot e manipuluara dhe akuzat e ekzagjeruara përdoren për të prodhuar reagime, klikime dhe përplasje.

Sipas autorit, njerëzit janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj fragmenteve të videove të prera në mënyrë mashtruese, titujve të fabrikuar dhe akuzave të fryra, ndërsa faktet shtrembërohen për të nxitur zemërim.

Reklamë InterMedika

Në tekst kritikohet edhe tendenca për ta kthyer çdo mospajtim në një përplasje personale, ku kundërshtari duhet domosdoshmërisht të paraqitet si “i korruptuar, i paaftë, mashtrues, i kapur ose pjesë e ndonjë konspiracioni”.

Një pjesë e veçantë i kushtohet mënyrës se si trajtohen zyrtarët dhe nëpunësit publikë. Sipas shkrimit, zgjedhja për t’i shërbyer publikut nuk duhet të nënkuptojë pranimin e një abuzimi pa kufi.

Autori argumenton se problemi nuk është mospajtimi në vetvete, por gatishmëria për të shpërndarë informacione të rreme dhe për ta kthyer tjetrin në objekt sulmi për shkak të bindjeve politike.

“Shumë njerëz nuk kanë më bindje politike, po kanë vetëm një varësi toksike. U duhet zemërimi i radhës, zuzari i radhës, videoja e radhës dhe justifikimi i radhës për t’u ndjerë më të mirë se të tjerët”, thuhet ndër të tjera në tekstin e shpërndarë nga Rama.

Shkrimi kritikon gjithashtu përdorimin e problemeve reale të qytetarëve për të prodhuar atë që e quan “tërbim teatral” dhe “panik të fabrikuar”, duke përmendur familjet që përballen me vështirësi ekonomike, veteranët, mësuesit dhe njerëzit e prekur nga rritja e kostos së jetesës.

Në pjesën përmbyllëse, autori vendos theksin te pasojat që gjuha e urrejtjes dhe manipulimi mund të kenë mbi vetë njerëzit që përfshihen në këtë mënyrë komunikimi.

“Nëse politika e tyre ka nevojë për gënjeshtra që të marrë frymë, ajo meriton të mbytet. Nëse lëvizja e tyre ka nevojë t’i zhveshë njerëzit nga njerëzorja për të mbijetuar, ajo e ka vendin në kanalin e ujërave të zeza”, thuhet në tekst.

Mesazhi mbyllet me pyetjen se deri ku është i gatshëm të shkojë një person për të mposhtur ata që i është thënë se duhet t’i urrejë, duke paralajmëruar se përdorimi i gënjeshtrës, manipulimit dhe poshtërimit nuk e lufton fenomenin e kritikuar, por e bën individin pjesë të tij.