Dy të arrestuar për zjarrvënie në Fier, Lamallari: Asnjë tolerancë për shkelësit

07 Sep 2026 16:17
Shpërndaje:

Ministri për Punët e Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas arrestimit të dy personave në qarkun e Fierit, të dyshuar për zjarrvënie të qëllshme, duke paralajmëruar se çdo veprim që cenon mjedisin dhe pronën do të përballet me ligjin.

Duke publikuar në Facebook pamje nga operacionet e Policisë së Shtetit, Lamallari theksoi se mbrojtja e territorit kërkon përgjegjësi nga të gjithë qytetarët, ndërsa vlerësoi reagimin e forcave të rendit.

“Falë monitorimit dhe reagimit të Policisë së Shtetit, në Fier janë arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllshme, ndërsa dy të tjerë po procedohen penalisht për zjarre të shkaktuara nga pakujdesia”, shkroi ministri.

Reklamë Ola

Lamallari paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë as për zjarrvëniet e qëllshme dhe as për rastet kur flakët shkaktohen nga pakujdesia.

“Asnjë zjarrvënie nuk është ‘e vogël’ dhe asnjë pakujdesi nuk është pa pasoja. Policia e Shtetit do të vijojë monitorimin e territorit, identifikimin e autorëve dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje. Kujdesi i secilit prej nesh është mbrojtje për të gjithë!”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Sipas Policisë së Fierit, një prej personave të arrestuar është 60-vjeçari K.B., i cili u konstatua në fshatin Eskaj të Lushnjës duke ndezur qëllimisht zjarr në një tokë që e kishte marrë me qira.

Rasti tjetër është regjistruar në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta. Policia arrestoi E.S., 25 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se ka shkaktuar një zjarr në fshatin Hasturkas, pranë grykëderdhjes së lumit Seman.

Nga flakët u përfshinë bimësi dhe një sipërfaqe e konsiderueshme e pyllëzuar, pjesë e zonës së mbrojtur.

Ndërkohë, dy persona të tjerë po procedohen penalisht për zjarre që dyshohet se janë shkaktuar nga pakujdesia. Autoritetet kanë bërë të ditur se monitorimi i territorit do të vijojë për identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për zjarrvënie.