×
Friday, October 22, 2021

Çmimi ‘Nobel’ në ekonomi 2021 – punësimi, paga minimale dhe arsimi me fokus tregun e punës

October 12, 2021

AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI

Ditën e hënë, më 11 tetor, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave shpalli dhënien e Çmimit Nobel në Ekonomi. Nobeli në Ekonomi pasoi dhënien e çmimit prestigjioz në fushat e tjera të mjekësisë, fizikës, kimisë dhe atij për paqen. Nobeli në Ekonomi konsiderohet si një prej vlerësimeve më të mëdha që mund t’i bëhet një studiuesi për kontributin e tij në këtë shkencë. Ashtu siç ndodh edhe me çmimet Nobel në fushat e tjera, edhe ai i ekonomisë paraprihet nga parashikime të shumta, por edhe pasohet nga debate dhe diskutime të shumta.

Për këtë vit, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi që Çmimi Nobel në Ekonomi t’u jepej profesorëve David Card, Joshua Angrist dhe Guido Imbens. Profesori i Universitetit të Kalifornisë (University of California, Berkeley, USA) David Card, u vlerësua për “kontributin e tij në ekonominë e punës”; profesori i Institutit të Teknologjisë së Masacusetit (Massachusetts Institute of Technology, Cambridge, USA), Joshua Angrist, dhe ai i Universitetit të Stanfordit (Stanford University, USA), Guido Imbens, u vlerësuan për “kontributin e tyre metodologjik për analizat shkak-pasojë”.

David Card ka lindur në vitin 1956 dhe është diplomuar në Queens University në vitin 1978. Ka lektoruar në Universitetin e Çikagos, në Princeton dhe që prej vitit 1997 në Berkley në Universitetin e Kalifornisë, si profesor i Ekonomisë dhe i Biznesit. Joshua Angrist ka lindur në Ohajo, në vitin 1960. Është diplomuar në Princeton dhe që prej vitit 1996 është profesor i Ekonomisë në MIT. Guido Imbens ka lindur në vitin 1963, është diplomuar në Universitetin e Roterdamit dhe është profesor i Ekonometrisë në Stanford.

Nuk është e rastësishme që këtë vit Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, duke vlerësuar maksimalisht këta tre shkencëtare, vendos të fokusohet në risitë metodologjike që ata kanë sjellë në fushën e ekonomisë (dhe të shkencave të tjera sociale në përgjithësi) dhe më konkretisht në përdorimin e të ashtuquajturave “eksperimente natyrore” për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që lidhen me çështje të rëndësishme sociale, siç janë më konkretisht ndikimi i emigrimit, i pagës minimale dhe i arsimimit në tregun e punës.

Jetojmë në një periudhë ku lëvizjet e popullsisë (emigrimi) në nivel global (dhe kryesisht nga rajonet më të varfra drejt atyre më të pasura) janë të pakrahasueshme me dhjetëvjeçarët apo shekujt e kaluar. Këto lëvizje janë shoqëruar dhe vazhdojnë të shoqërohen me ndikime në shoqëritë (si pritëse, ashtu edhe ato të origjinës), në sistemet ekonomike, sistemet politike, marrëdhëniet njerëzore, në kulturë art dhe shkencë; mund të themi se (edhe) si pasojë e lëvizjeve të popullsisë, bota e sotme pak të ngjarë ka me botën e disa dhjetëvjeçarëve më parë. Jemi dëshmitarë që zhvillime të tilla shpeshherë shoqërohen me një skepticizëm të dukshëm nga pjesë të caktuara të popullsisë dhe me një retorikë populiste (shpeshherë edhe ekstremiste) nga pjesë të caktuara të politikës.

Gjithashtu, mund të themi që si pasojë e ndryshimeve të mëdha që shkaktohen nga krizat e shpeshta ekonomike dhe financiare (apo nga kriza jo direkt ekonomike, si kjo aktuale e shkaktuar nga pandemia e COVID-19), tregu i punës detyrohet të përballet me dinamika të papritura, të cilat shpeshherë trajtohen në mënyrë sipërfaqësore nga politikëbërja. Dhe çdo krizë në tregun e punës përkthehet në miliona e miliona tragjedi personale e familjare që lidhen me efektet tragjike që papunësia ka në jetën e njerëzve. Shpesh, në periudha të tilla, populizmi shndërrohet në diskursin mbizotërues me pasoja të paimagjinueshme më parë.

Është detyrë e botës akademike në përgjithësi (dhe sigurisht edhe e asaj ekonomike në veçanti) që nëpërmjet gjuhës së shkencës, të japë kontributin e saj në luftën ndaj populizmit. Mund të themi se vlerësimi që Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave u bëri tre profesorëve të nderuar është njëkohësisht një vlerësim edhe për kontributin e fushës së studimeve ekonomike dhe komunitetit akademik të kësaj fushe në përgjithësi, për të tejkaluar stereotipat, paragjykimet dhe retorikën populiste të shkaktuar si pasojë jo vetëm e emigrimit (si një fenomen social), por edhe e politikave shpesh të gabuara të ndërmarra nga qeveritë në pjesë të ndryshme të botës.

Siç thuhet edhe në deklaratën për shtyp që shoqëroi shpalljen e sivjetshme të Çmimit Nobel në Ekonomi “…Laureatët kanë demonstruar se shumë prej pyetjeve të mëdha të shoqërisë mund të marrin përgjigje. Zgjidhja e tyre është përdorimi i eksperimenteve natyrore – situata që lindin në jetën reale dhe që ngjajnë me eksperimente të rastësishme. Këto eksperimente natyrore mund të rezultojnë për shkak të ndryshimeve të rastësishme natyrore, rregullave institucionale ose ndryshimeve të politikave.

Në kërkimin e tij shkencor, në fillim të viteve 1990, David Card analizoi disa pyetje qendrore në ekonominë e punës – të tilla si efektet e pagës minimale, emigracionit dhe arsimit – duke përdorur këtë qasje. Rezultatet e këtyre studimeve sfiduan njohurinë e deriatëhershme konvencionale dhe çuan në kërkime të reja, në të cilat Card ka vazhduar të japë kontribute të rëndësishme. Në përgjithësi, ne tani kemi një kuptim shumë më të mirë se si funksionon tregu i punës sesa 30 vjet më parë… Në një studim novator të vitit 1994, Joshua Angrist dhe Guido Imbens treguan se çfarë përfundimesh (në lidhje me shkakësinë) mund të nxirren nga eksperimentet natyrore, në të cilat njerëzit nuk mund të detyrohen të marrin pjesë në programin që studiohet (as të ndalohet ta bëjnë këtë). Korniza (teorike) që ata krijuan ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si studiuesit u qasen pyetjeve empirike duke përdorur të dhëna nga eksperimentet natyrore ose eksperimentet e rastësishme në terren”.

Kontributet shkencore të tre laureatëve të sivjetshëm janë një kontribut i vyer që kanë ndihmuar të kuptojmë më mirë mënyrën se si funksionon tregu i punës, por në të njëjtën kohë të hedhim poshtë disa paragjykime apo stereotipa, të cilat shpesh konsiderohen si “logjikë e thjeshtë”. Kështu, p.sh., në vitet 1990 (pse jo edhe sot) ishte gati e gjithëpranuar nga studiuesit e ekonomisë që rritja e pagës minimale shoqërohej me rritje të papunësisë si pasojë e kostove të shtuara për bizneset. Mund të themi që ky argument vazhdon edhe sot të jetë një prej argumenteve kryesore që përdorin qeveritë konservatore (apo komunitetet e biznesit) në pjesë të ndryshme të botës. E megjithatë, duke përdorur një “eksperiment natyror”, David Card studioi ndikimin e rritjes së pagës minimale në New Jersey, duke e krahasuar atë me Pensilvaninë (të dyja shtetet fqinje kishin një treg pune të ngjashëm, por paga minimale ishte rritur vetëm në New Jersey). Në kundërshtim me hulumtimet e mëparshme, David Card zbuloi se një rritje në pagën minimale nuk kishte asnjë efekt në numrin e punonjësve të punësuar. Ky kërkim shkencor është pasuar nga një numër i madh studimesh të mëvonshme duke çuar në përfundimin e përgjithshëm se efektet negative të rritjes së pagës minimale janë shumë të vogla dhe dukshëm më të vogla nga sa besohej 30 vjet më parë.

Një argument tjetër i përdorur gjerësisht nga konservatorët dhe nga populistët është se tregu i punës ndikohet gjerësisht nga rritja e numrit të emigrantëve dhe kjo çon detyrimisht në uljen e pagave dhe në rritjen e papunësisë për “vendasit”. Duke përdorur përsëri një “eksperiment natyror” (ardhjen e mbi 150 mijë emigrantëve kubanë ne Miamin e fillimviteve 1980), David Card studioi ndikimin e fluksit në rritje të punëtorëve në tregun e punë të Majamit. Card arriti në përfundimin se pavarësisht rritjes së fuqisë punëtore, kjo nuk pati efekte negative në tregun e punës. Krahasuar me qytete të tjera, as pagat nuk u ulën e as papunësia nuk u rrit.

Ky punim i hapi rrugën një fushe të tërë studimesh, të cilat ofruan shpjegime dhe qasje të reja në mënyrën se si trajtohet çështja e emigracionit. Dhënia e Çmimit Nobel në ekonomi është një nga eventet më prestigjioze akademike dhe si e tillë diskutohet gjerësisht jo vetëm nga studiuesit e shkencës ekonomike, por edhe nga institucionet politikëbërëse. Rëndësia që ka Çmimi Nobel qëndron jo vetëm në faktin që ky çmim shërben si një kurorëzim i punës kërkimore shkencore të studiuesve të caktuar, por edhe në atë që ky çmim shtyn politikën të fokusohet në tematika të caktuara të rëndësishme për mirëfunksionimin e sistemit ekonomik.

Kontributi i laureatëve të sivjetshëm në mënyrën se si e kuptojmë tregun e punës dhe faktorët që ndikojnë në të, por kryesisht gjetjet e tyre shkencore dhe rëndësinë që ato kanë në perceptimin kolektiv për çështje sociale të rëndësishme, tregon edhe një herë se Çmimi Nobel nuk ka vetëm një vlerë simbolike por sot më shumë se kurrë një vlerë praktike.

Eunews.al

Comments are closed.