×
E mërkurë, 25 Nëntor, 2020

Çelësi kundër valës së dytë të COVID-19

20 Qershor, 2020

Shumë shtete po dalin prej izolimit, edhe pse shumë ekspertë parashikojnë një valë të dytë infeksionesh nga Covid-19. Bazuar në valën e parë, këta vende mund të parandalojnë më të keqen nëse vihen në lëvizje me shpejtësi.

Qeveritë që hezituan të organizojnë një reagim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës kur u shfaq virusi, përfunduan me tetë herë më shumë viktima për 100 000 banorë, krahasuar me ato që vepruan menjëherë pas shfaqjes së rastit të parë. Kjo, sipas një analize që Bloomberg i ka bërë Indeksit të Masave të Shtrëngimit – i cili mat rreptësinë e masave izoluese dhe është hartuar nga Blavatnik School of Governmen në Universitetin e Oksfordit.

“Nëse vepron ngadalë, ke një bazë shumë më të gjerë infeksionesh e cila është shumë më e vështirë të kontrollohet”, sipas Mark Dybul, profesor i shëndetit global në Georgetoën University Medical Center dhe ish kreu i Fondit Global për luftën kundër AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries. “Edhe kur vendos kufizime shumë të forta, tashmë përhapja ka ndodhur në një nivel që është shumë e vështirë të frenohet”.

Reagimet e shpejta ishin ata ku një seri e plotë masash kufizuese hynë në fuqi brenda 35 ditësh nga raportimi i rastit të parë – kohëzgjatja mesatare për të gjithë vendet e analizuara. Reagimet e ngadalta kanë të bëjnë me pritjen për të reaguar – duke përfshirë strategjinë fillestare të “imunitetit të tufës” që ndoqi Mbretëria e Bashkuar – apo rritjen graduale të masave, teksa numri i infeksioneve shtohej.

Reagimet e forta përfshijnë një gamë të gjerë masash, që lidhen me gjithçka, nga përmasa e tubimeve deri tek udhëtimi i brendshëm, dhe kufizimet ishin shpesh të detyruara për të gjithë shtetin. Reagimet e dobëta përfshinin masa më të pakta, me detyrime vetëm rajonale apo edhe thjesht rekomandime. Kjo përfshin Japoninë, ku qeveria federale rekomandoi që njerëzit të rrinin në shtëpi, të punonin nga shtëpia dhe anulonin aktivitetet, por nuk vendosi kufizime për grumbullimet as edhe për linjat e metrosë që në atë vend janë të tejmbushura, dhe ua la në dorë prefekturave që të vendosnin për mbylljen e shkollave.

Pothuajse të gjitha shtetet vendosën disa kufizime në shkolla dhe udhëtimet ndërkombëtare, por ato me reagime më të forta shkuan shumë përtej kësaj. Argjentina mori rezultatin më të lartë në indeksin e rreptësisë së Oksfordit, pasi ndali krejt jetën normale të përditshme. Çdo shkollë dhe biznes jo-thelbësor në vend u mbyllu; të gjithë autobusët ndërqytetas, trenat dhe fluturimet e brendshme u pezulluan; kufijtë ndërkombëtarë u mbyllën edhe për qytetarët; dhe në rrugë u vendosën pika kontrolli, për të kapur ata që thyenin karantinë – një vepër e dënueshme deri në dy vjet burg.

Brazili fqinj ndoqi një qasje të kundërt: një reagim i vonuar, i udhëhequr nga shtetet dhe i kundërshtuar nga Presidenti Jair Bolsonaro, i cili inkurajoi njerëzit të rikthehen në punë. Numri i të vdekurve në Brazil është mbi 11 herë më i lartë se ai i Argjentinës, për 100,000 banorë dhe vazhdon të rritet me shpejtësi.

Shumica e vendeve filluan të forcojnë masat e sigurisë afërsisht në kohën kur Organizata Botërore e Shëndetit e shpalli Covid-19 pandemi, në mes të marsit. Deri në atë kohë, dhjetëra vende kishin më shumë se 100 raste.

Zyrtarët e shëndetit publik të qeverisë taivaneze ishin ndër të parët që mësuan për një sëmundje të re të ngjashme me SARS, e cila po përhapej nëpër pjesë të Kinës,pikasur duke vërejtur paralajmërime nga profesionistët e shëndetit, që i postonin në mediat sociale kineze. Qeveria veproi shpejt për të bllokuar fluturimet nga epiqendra origjinale e Vuhanit, duke vendosur kontrolle të temperaturës në aeroporte dhe duke përdorur një sistem mbresëlënës testimesh në masë, gjurmim të plotë të kontakteve dhe karantinë të detyruar.

Tajvani filloi ndërtimin e një rrjeti të reagimit të emergjencës, për frenimin e sëmundjeve infektive pas përvojës SARS në vitin 2003, kur qindra njerëz u sëmurën dhe të paktën 73 vdiqën. Ruajtja e këtij sistemi dhe e vigjilencës ndër vite i lejuan qeverisë të frenojë virusin që në fillim, me shumë pak kufizime në jetën e përditshme. Pesë muaj më vonë, Tajvani ka raportuar më pak se 500 raste dhe shtatë vdekje. Qeveria tashmë po përgatitet për pandeminë e radhës.

“Ne e trajtuam këtë virus si një epidemi serioze, që nga dita e parë”, thotë Philip Lo, zëvendës drejtor i përgjithshëm i qendrës së kontrollit të sëmundjeve në Taivan. “Ne nuk pritëm që të shpërthente, e pastaj të vepronim”.

Zelanda e Re vuri në zbatim një nga izolimet më të rrepta në botë, përgjatë një periudhe prej 27 ditësh një javë më shpejt sesa iu desh vendeve të tjera, për të vendosur masa që ishin më të relaksuara. Qeveria bllokoi udhëtimet nga Kina para se të raportonte qoftë edhe një infeksion të vetëm dhe e zgjeroi këtë kufizim, duke përfshirë Iranin pasi konfirmoi rastin e parë: një person që ishte kthyer kohët e fundit nga ai vend. Në kohën kur ishin bërë tashmë 28 infeksione, Kryeministrja Jacinda Ardern mbylli kufirin për këdo që nuk ishte nënshtetas apo banor i përhershëm, përfshirë studentë të huaj dhe punëtorë të përkohshëm. Javën që pasoi, ajo urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave, vendeve të punës jo thelbësore dhe transportit publik; ndaloi të gjitha tubimet dhe udhëtimet brenda vendit; dhe urdhëroi njerëzit të qëndronin në shtëpi.

Ardern e përfundoi izolimin shtatë javor në 14 maj dhe hoqi të gjitha masat e distancimit social në 8 qershor, pas dy javësh pa raste të reja. Kufijtë e Zelandës së Re mbeten të mbyllura për të huajt, por në 16 qershor, dy shtetas që ktheheshin nga Mbretëria e Bashkuar u konfirmuan se ishin të infektuar.

Pikërisht ashtu sikurse shtetet ndoqën njëri-tjetrin në mbyllje, ashtu po veprojnë dhe tani për rihapjen – pavarësisht nëse ia dolën apo jo të frenojnë shpërthimet. Ata që kanë arritur të ndalin infeksionet do të duhet të kuptojnë se si të mbrohen nga ata që nuk ia kanë dalë.

“Ne do të kemi një situatë me shtete që bëjnë gjëra të ndryshme,” thotë Stephen Morrison, Drejtor i Qendrës Globale të Politikave Shëndetësore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Dhe procesi i rimëkëmbjes do të jetë mjaft i larmishëm dhe shumë vende do të kalojnë nëpër një karusel, ku infeksionet do të shkojnë lart e poshtë”.

Qeveritë kanë filluar të krijojnë marrëveshje me njëra-tjetrën për t’i lejuar qytetarët e tyre të udhëtojnë ndërmjet tyre, por ato që ende raportojnë numër të madh infeksionesh janë lënë jashtë. Norvegjia ka hapur kufijtë për të gjithë fqinjët e saj nordikë, përveç Suedisë, ku qeveria vendosi disa kufizime distancimi social, por ndenji larg një bllokimi të plotë. Italia e goditur fort me vështirësi hapi kufijtë për të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, por një pjesë e vogël e vendeve nuk po i përgjigjen me të njëjtën monedhë. Dhe me më shumë infeksione dhe vdekje në botë, SHBA mund të përballet me një të përpjetë, për të bindur vendet e tjera që të lejojnë amerikanët t’i vizitojnë.

“Eshtë e mundur që Evropa të hapet për të gjithë të tjerët, përveç Shteteve të Bashkuara,” thotë Dybul.

Reagimi i SHBA ndaj virusit ishte edhe më e ngadaltë dhe e i dobët, se sa shumica e vendeve të tjera. Me përjashtim të një ndalimi për udhëtarët që vinin nga Kina, dhe më tej nga Evropa, frenimi u menaxhua pothuajse tërësisht nga qeveritë e shteteve dhe ato lokale, të cilat nuk binin dakord mbi peshën e rrezikut që paraqiste virusi, apo nëse vlente një bllokim duke patur parasysh pasojat ekonomike. Pavarësisht se konfirmuan rastin e parë në janar, shumica e shteteve nuk filluan të anulojnë tubime të mëdha ose të mbyllin shkollat, deri në mes të marsit. Edhe atëherë shumë njerëz vazhduan të udhëtojnë mes shteteve.

“Në një vend që ka lëvizshmërinë e Shteteve të Bashkuara, thjesht nuk mund t’ua lësh në dorë shteteve,” thotë Dybul. “Pra, ne nuk do të jemi gati për një valë të dytë nëse nuk do të ketë një përgjigje në nivel federal. Dhe nuk mund të rihapemi në mënyrë të sigurt”.

Disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Korenë e Jugut, arritën t’i frenojnë shpërthimet e tyre me një qasje më të lokalizuar, falë testimeve të disponueshme dhe gjurmimeve të kontakteve. Koreja e Jugut fitoi lëvdata nga e gjithë bota, për faktin se ishte në mesin e vendeve të para që ofroi testime të targetuara për të gjithë komunitetet. SHBA, nga ana tjetër, ka patur shumë vështirësi për vlerësimin me saktësi të shkallës së infeksioneve. Numri i testimeve ka ndryshuar gjerësisht nga shteti në shtet, dhe aty ku ekziston testimi me makina, punonjësit e spitaleve janë përballur me mungesa në pajisje të mbrojtjes personale, duke përfshirë maska kirurgjikale, doreza dhe veshje mbrojtëse.

Shtetet që po rihapen pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, duke përfshirë SHBA, ka gjasa të përballen me rishfaqje të pandemisë më herët, duke e bërë më urgjente për ta që të përgatiten të veprojnë shpejt, sapo të shfaqen shenjat paralajmëruese. Fatkeqësisht, nuk po ndodh gjithmonë. Raste të reja po rriten me shpejtësi në më shumë se 20 shtete në SHBA, sipas një gjurmuesi të përgatitur nga Universiteti John Hopkins, i cili mat mesataren tre ditore në secilin shtet. Në Turqi, presidenti Erdogan hodhi poshtë një plan për të rivendosur izolimin pas rastet u rritën me më shumë se 1000 në një ditë – në vend të kësaj, ai u bëri thirrje njerëzve të bëjnë kujdes dhe të ruajnë distancimin social gjatë gjithë kohës.

“Do të kemi më shumë  përhapje infeksionesh në 3-4 muajt e ardhshëm se sa mendonim”, thotë Dybul. “Dhe kjo nuk është shenjë e mirë po të kemi parasysh një valë të dytë të madhe. Do të thotë se nuk jemi gati për një të tillë, dhe do të thotë se vala e dytë do të jetë më e madhe se sa duhet”./ Bloomberg

Indeksi i masave të izolimit (Shqipëria 70):

Indeksi i Rreptësisë së Reagimit të Qeverisë është një vlerësim i bazuar në nëntë tregues të reagimit të qeverive, që përfshin mbylljet e shkollave, mbylljet e vendeve të punës dhe ndalimet e udhëtimit, me një vlerë nga 0 në 100 (100 = reagimi më i rreptë). Shqipëria e ka 70.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për