Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që ka monitoruar proceset zgjedhore në vend, vlerëson se vota e diasporës mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke favorizuar Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Cakollit, bazuar në trendet e deritanishme të votimit nga mërgata, partia e Albin Kurtit mund të fitojë deri në pesë mandate shtesë krahas rezultateve aktuale.
“Gjasat janë tejet të mëdha që votat e diasporës të prodhojnë ndryshim minimalisht prej dy mandateve. Praktikisht, dy mandate shtesë janë pothuajse të sigurta, ndërsa në varësi të trendeve ky numër mund të arrijë deri në pesë mandate”, deklaroi Cakolli.
Nëse ky skenar realizohet, Vetëvendosje mund të arrijë deri në 52 mandate në Kuvend. Sipas llogaritjeve të tij, me mbështetjen e nëntë deputetëve të komuniteteve joserbe, të cilët kanë qenë partnerë të saj edhe në të kaluarën, shumica parlamentare do të arrinte në 61 vota, numri minimal i nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Cakolli theksoi se çdo mandat shtesë që mund të fitojë Vetëvendosje nga votat e diasporës do t’u hiqet partive të tjera, duke dobësuar mundësitë e opozitës për të ndërtuar një shumicë alternative.
“Me trendin aktual të votës së diasporës, besoj se raporti mes Vetëvendosjes dhe partive ish-opozitare mund të përmbyset. Nëse aktualisht raporti është 48 me 52, ka shumë gjasa që ai të kthehet në 52 me 48 në favor të Vetëvendosjes”, u shpreh ai.
Megjithatë, njohësi i proceseve zgjedhore paralajmëron se edhe në rast të një rezultati më të favorshëm për partinë fituese, stabiliteti institucional nuk mund të garantohet vetëm nga matematika parlamentare.
Sipas tij, Kosova vazhdon të ketë nevojë për një marrëveshje politike mes forcave kryesore për të kapërcyer ngërçin institucional që ka zgjatur prej më shumë se një viti.
“Jemi ende brenda kufijve të brishtësisë së një qeverie të re, nëse ajo arrin të formohet. Pa një marrëveshje politike paraprake, është pothuajse e pamundur të shkojmë drejt funksionalizimit të plotë të institucioneve”, tha Cakolli.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar tërheqjen e të gjitha pakove me fletëvotime nga diaspora. Procesi i verifikimit të tyre pritet të nisë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ndërsa vlerësohet se numri i votave të ardhura nga mërgata mund të arrijë në rreth 100 mijë.
Rezultati i këtyre votave pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në përbërjen përfundimtare të Kuvendit dhe në mundësitë për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.


