Ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka reaguar pas takimit të parë me kryeministrin Edi Rama, duke bërë të ditur se në qendër të bisedës ishte e ardhmja europiane e Shqipërisë.
Përmes një postimi, diplomatja europiane e cilësoi pozitiv takimin me kreun e qeverisë dhe shprehu mirënjohjen për mikpritjen.
“Sot zhvillova takimin tim të parë me Kryeministrin Edi Rama. Patëm një bisedë të mirë për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Mirënjohëse për mikpritjen. Tani, koha për punë”, u shpreh Moreira de Sousa.
Takimi vjen në nisje të mandatit të saj si ambasadore e Bashkimit Europian në Shqipëri, në një periudhë kur vendi po vijon procesin e negociatave për anëtarësimin në BE.
Më herët gjatë ditës, edhe kryeministri Rama publikoi një foto nga takimi, duke i uruar mirëseardhjen në Tiranë ambasadores së re.
Sofia Moreira de Sousa ka marrë drejtimin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, duke pasuar Silvio Gonzaton pas përfundimit të mandatit të tij.


