Ambasadori gjerman në Borovë: Masakra e vitit 1943 nuk duhet të harrohet kurrë
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në Borovë, ku u nderuan viktimat e masakrës së 6 korrikut 1943, duke e cilësuar ngjarjen një nga momentet më të dhimbshme të historisë.
Diplomati gjerman tha se si ambasador i Gjermanisë ndien përgjegjësi morale për një krim të kryer në emër të vendit të tij dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
“Ky është një moment shumë i dhimbshëm për një ambasador gjerman, sepse jemi këtu për të nderuar viktimat e një masakre të kryer nga ushtria gjermane më 6 korrik 1943. Sot shënohen 83 vjet nga ajo tragjedi, ku humbën jetën 107 burra, gra dhe fëmijë. Duhet të kujtojmë emrat e tyre dhe të nxjerrim mësime nga historia, në mënyrë që ajo të mos përsëritet kurrë”, u shpreh Bergner.
Ai theksoi se parimet e tolerancës, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit janë themeli mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi Europian dhe nënvizoi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, veçanërisht përmes asistencës teknike dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
I pyetur për protestat dhe incidentet e dhunshme në Shqipëri, ambasadori deklaroi se protestat paqësore janë pjesë e vlerave europiane, ndërsa dhuna nuk mund të justifikohet.
“Çdo aktivitet i shoqërisë civile që zhvillohet në përputhje me vlerat e Bashkimit Europian është i mirëpritur. Protestat e dhunshme nuk janë në përputhje me këto vlera. Kush mban përgjegjësi për aktet e dhunës është ende çështje që duhet të sqarohet”, u shpreh ambasadori Karl Bergner.







